Ministrja e Drejtësisë reagon pas sulmit kundër bashkëshortes së Stavilecit

Ministrja e Drejtësisë reagon pas sulmit kundër bashkëshortes së Stavilecit

Ndaj sulmit ndaj bashkëshortes së ministrit të Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social duke e quajtur sulmin të neveritshëm dhe ka ftuar organet ta ndriçojnë rastin.

Ministrja Hoxha thekson se sulmi ndaj nënës, bashkëshortes dhe qytetares së lirë të këtij vendi, tregon për pezmin e tmerrshëm të projektuesve dhe realizuesve të këtij sulmi djallëzor.

“Sulmi brutal ndaj Vitore Metaj- Stavileci, bashkëshorte e ministrit Blerand Stavileci, është sulm i neveritshëm dhe organet gjegjëse duhet urgjent ta ndriçojnë rastin dhe dënojnë këtë akt qyqar”, ka thënë ministrja Hoxha.

Hoxha thotë se sulmi ndaj Vitore Metaj-Stavileci është sulm ndaj familjes dhe lirisë në shtetin tonë.

“Sulmi ndaj nënës, bashkëshortes dhe qytetares së lirë të këtij vendi, tregon për pezmin e tmerrshëm të projektuesve dhe realizuesve të këtij sulmi djallëzor, është sulm ndaj familjes dhe lirisë në shtetin tonë”, ka deklaruar ajo. /Insajderi.com