Ministrja e Drejtësisë dënon “linçimin publik” që Xhavit Drenori i bëri Imer Bekës

Ministrja e Drejtësisë dënon “linçimin publik” që Xhavit Drenori i bëri Imer Bekës

“Nëse një ditë do të bëhesha vrasës, do ta vrisja kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Bekën”, deklaroi të shtunën asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Drenasit, Xhavit Drenori.

E për këtë deklaratë të Drenorit ka reaguar sot ministrja në largim e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Ajo e ka cilësuar “linçim publik” kundër kryeprokurorit Beka këtë deklaratë të anëtarit të VV-së. Hoxha e ka dënuar gjuhën e përdorur nga Drenori.

“Kjo gjuhë dhe ky linçim i bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale është plotësisht i papranueshëm dhe duhet adresuar me urgjencë nga ana e vetë organeve të sundimit të ligjit”, ka thënë Hoxha, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, raporton Insajderi.

Ministrja Hoxha ka thënë se deklarata e Drenorit mund të përmbajë edhe elemente të veprës penale.

“Deklarata e aktivistit të Vetëvendosjes, Xhavit Drenori, se po të bëhej vrasës njeriun e parë që do të vriste do të ishte Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore z. Imer Beka, sipas mendimit tim mundet edhe të përmbajë elemente të veprës penale”, ka thënë Hoxha.

Derisa është shprehur se dënon “linçimet” kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë, ministrja Hoxha ka inkurajuar ata që të jenë të guximshëm në punën e tyre.

“Si Ministre e Drejtësisë dënoj ashpër gjuhën dhe linçimin e tillë publik që po ju bëhet prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ftoj prokurorët dhe gjyqtarët që të jenë të guximshëm dhe të mos frikësohen nga gjuha e tillë linçuese por të vazhdojnë në forcimin e shtyllës kryesore të shtetit që është sundimi i ligjit”, ka thënë ajo.

Ministrja në largim ka kërkuar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga gjuha e asamblistit të saj në Kuvendin Komunal të Drenasit.

“Andaj unë do të flas dhe dënoj ashpër gjuhën dhe linçimin e tillë të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga ana e anëtarëve të caktuar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ftoj edhe të tjerët që t’i thonë STOP kësaj gjuhe para se kjo gjuhë të shëndrrohet në vepër. Madje, ftoj edhe vetë anëtarët e arsyeshëm të Vetëvendosjes që të dënojnë këtë gjuhë dhe linçim”, ka thënë ajo. /Insajderi.com