Emërimi i zëvendësministrave në Qeverinë e Ramush Haradinajt është bërë temë aktuale në mediat dhe opinion duke u kritikuar për numrin e madh të tyre. Por, tash ministritë janë në hall me akomodimin e tyre.
Në 21 ministri sa kjo Qeveri, janë emëruar 64 zëvendësministra. Ata janë kryesisht anëtarë të partive në koalicion.
Gazeta Insajderi ka siguruar fotografi të punimeve që po kryhen në zyrat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kjo ministri numëron pesë zëvendësministra. Ata janë Fatmir Matoshi, Aleksander Spasić, Kurtan Kajtazi, Bashkim Musliu dhe Besim Demi.
Madje, emrat e tyre nuk janë vendosur ende në ueb-faqen e kësaj ministrie. Ndërsa akomodimi i tyre po del një proces jo i lehtë, madje në disa raste mësohet se ka pasur presion ndaj stafit civil për të liruar hapësirat për stafin politik.
Ministritë që kanë nga 5 zëvendësiminstra janë edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.
Ndërsa ministria me më së shumti poste të zëvendësministrave është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo numëron gjashtë zëvendësministra.