Ministria vonon deri në gjashtë muaj përkthimin e kontratës “Kosova e Re”

Ministria vonon deri në gjashtë muaj përkthimin e kontratës “Kosova e Re”

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka publikuar sot kontratën e arritur me kompaninë Contour Global Terra për Termocentralin “Kosova e Re”, vetëm pas një vendimi gjyqësor që kërkonte që kontrata të jetë të jetë transparente për qytetarët e Kosovës.

Por, Insajderi ka raportuar sot se kontrata ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.

Kështu, edhe pse me vonesë kontrata është publikuar vetëm në versionin në gjuhën angleze dhe jo edhe në gjuhën shqipe, si gjuhë zyrtare e Republikës së Kosovës.

E këshilltarja e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se përkthimi i kontratës në gjuhën shqipe do të marrë kohë deri në gjashtë apo shtatë muaj.

“Në qoftë se ne fillojmë me përkthy detajet e vogla ajo na merr kohë deri 6-7 muaj”, ka thënë Ajeti për portalin Ndërtimi.info.

“Për përkthimin e saj për çdo detaj dhe çdo faqe tjetër duhet kohë dhe merr kohë. Po mendoj se si ekip nuk kemi menduar me përkthy ndoshta nëqoftëse fillojmë me përkthy ajo ka me na marrë kohë”, tha Ajeti.

Ndërkaq, ministri Valdrin Lluka po ashtu ka premtuar se së shpejti kopja e kontratës do të publikohet edhe në gjuhën shqipe.

Ky projekt në fakt është trashëguar nga një qeveri te tjetra tash e sa vite. Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) fillimisht i themeluar me Vendimin Ekzekutiv nr. 2006/6 i nxjerrë nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) me 17 mars 2006 dhe më pas i azhurnuar me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 08/17 të datës 1 Qershor 2011, ka për qëllim marrjen e vendimeve dhe zhvillimin e Transaksionit sa i përket zbatimit efektiv të projektit TC “Kosova e Re”.

Ndryshe, publikimit të kontratës i ka paraprirë një proces i gjatë gjyqësor.

Më 9 janar 2018, Instituti GAP ka pranuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e aprovon si të bazuar padinë e Institutit GAP në emër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) për mos lejim të qasjes në dokumente publike.