Ministria shpall me vonesë konkursin për tekste të reja shkollore, kurrikula e re nis pa to

Ministria shpall me vonesë konkursin për tekste të reja shkollore, kurrikula e re nis pa to

Më 2 prill pritet të shpallet konkursi për tekstet e reja shkollore, por ato nuk do të mundë të botohen as për vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019. Fëmijët do të vazhdojnë të mësojnë me tekstet aktuale, ndërsa mësimdhënësit të punojnë me kurrikulën e re e me tekste të vjetra.

Ministria e Arsimit do të shpallë konkursin për botimin e teksteve të reja shkollore me 2 prill të këtij viti. Agim Bërdyna, drejtor i departamentit për zhvillimin e arsimit paraunivesitar në Ministrinë e Arsimit, si dhe anëtari i Këshillit të Ekspertëve të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, tha për Radio Kosovën se këshilli është duke finalizuar dokumentet bazë që do të përcjellin procesin për tekstet e reja shkollore.

Ai tha se në këtë konkurs kanë të drejtë të konkurrojnë shtëpitë botuese me autorët, ndërsa ekipet e recensentëve i përzgjedh Ministria e Arsimit. Bërdyna bëri të ditur se as këtë vit shkollor nuk do të ketë tekste të reja shkollore.

“Me gjithë përpjekjet për ta përshpejtuar dinamikën janë standardet e preferuara që tregojnë sa kohë duhet për të nxjerrë një tekst. Ne në fazën emergjente që kemi pasur në të kaluarën, është konstatuar se tekstet kanë pasur gabime teknike e përmbajtjesore. Sado që kemi provuar për t’i rishikuar, dhe është obligim ligjor që vërejtjet që shkojnë në shtëpitë botuese të përmirësohen, megjithatë kanë kaluar vite dhe jemi në fazën e reformave në arsim”.

Sipas Bërdynës, përveç teksteve bazë do të futen edhe materiale të tjera plotësuese, në mënyrë që mësimdhënësit t’i shfrytëzojnë, duke përcjellë kurrikulat e reja. Konkursi për tekstet e reja shkollore, në raundin e parë do të jetë për klasat 2, 6, 10, pastaj për klasat 3, 7 dhe 11. Bërdyna bëri të ditura edhe kriteret e konkursit që duhet t’i plotësojnë shtëpitë botuese.

“Në radhë të parë duhet përcjellë kurrikulën e re, të plotësohen standardet, i kemi standardet për tekstet që i kemi punuar bashkë me partnerët tanë nga Zvicra, pastaj do të hyjnë në konkurrencë dhe do të seleksionohen tekstet më të mira. Do të provojnë të fusim edhe tekstin alternativ dhe do të provojmë të bëjmë edhe mënyrën e përzgjedhjes së tekstit nga vetë mësimdhënësit me këshillat e aktivit profesional”.

Ndërkohë, mësimdhënësit e nivelit parauniversitar po hasin në vështirësi në punën e tyre me tekstet e vjetra. Mësueset, Florie Rrecaj dhe Kumrie Bajraktari, thanë se tekstet aktuale nuk i përshtaten kurrikulës.

“Është një vështirësi!Besoj që institucionet mendojnë që do të kalohet, sepse ne po punojmë me kurrikulën e re, ndërsa tekstet i kemi të vjetra. Tekstet e vjetra nuk janë në përputhje me kurrikulën e re, ku mësimdhënësit dhe nxënësit po përballen me vështirësi gjatë përdorimit të tyre. Vazhdimi i përdorimit të teksteve të vjetra po sjellin probleme të shumta në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies”.

Me tekstet e reja, Ministria e Arsimit do të provojë mënyrën e botimit të teksteve për t’iu qasur grupit të lëndëve shkencore dhe atyre humanitare, në mënyrë që të zvogëlohet pesha mjaft e rëndë e çantës së fëmijëve.