Tre ministra dhe kryetarët e komunave në hotel luksoz

Tre ministra dhe kryetarët e komunave në hotel luksoz

Tre ministra të Qeverisë së Kosovës dhe kryetarët e komunave janë takuar në një hotel luksoz në Budva të Malit të Zi, në një organizim që është mbështetur financiarisht nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Tre ministrat që do të marrin pjesë në këtë takim janë: ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Ivan Todosijeviç, ministrja e Ambientit Albena Reshitaj dhe ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar.

Në takim ka marrë pjesë edhe kryetari i OSBE-së në Kosovë, Jaan Brathu.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lolal në mbështetje të misionit të OSBE-së në Kosovë, organizuan konferencën e përbashkët me kryetarë të komunavë në temën: ‘Të arriturat dhe sfidat në fushën e vetëqeverisjes lokale në Kosovë'”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal.

Ministria ka bërë të ditur se në këtë takim u diskutua për sfidat dhe të arriturat e pushtetit lokal në Kosovë, si dhe mundësitë që pushteti lokal duhet të shfrytëzoj në krijimin e kushteve zhvillimore, për të rritur mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve në vend.

Tre ministrat e Qeverisë së Kosovës do të zhvillojnë edhe disa takime të tjera me kryetarët e komunave në Budva të Malit të Zi.

Këto takime të kryetarëve të komunave me tre ministrat e Qeverisë Haradinaj, që kanë filluar më 23 shkurt dhe do të zgjasë deri më 25 shkurt, janë duke u mbajtur në njërin nga hotelet më të shtrenjta të Budvas, “Plendid Hotel”.

Splendid është hotel luksoz me 5 yje, që ka dalje direkt në plazh, vetëm 2 kilometra larg nga qyteti i vjetër i Budvës.

E Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal thotë se vendi i mbajtjes së këtyre takimeve është zgjedhur dhe është financuar nga OSBE-ja.

“MAPL nuk ka perzgjedhur vendin dhe nuk ka paguar asnje flere financiare lidhur me organizimin e kesaj ngjarje”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të hotelit, çmimi i dhomave më të lira për një natë sillet nga 104 dollarë e lartë.