Ministria e udhëhequr nga Kujtim Shala, parregullësi në riparimin e veturave

Ministria e udhëhequr nga Kujtim Shala, parregullësi në riparimin e veturave

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur parregullsi në servisimin e veturave nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve (MKRS), gjatë vitit 2016.

Në raportin financiar vjetor të MKRS-së, të publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, është gjetur se “në pagesën e bërë për ‘Riparimin e automjeteve’ me vlerë 9,186€: Bartja e një veture nga vendi i prishjes deri në servis, në distancën prej 182km, është faturuar me 480€”.

“Po ashtu nuk dihet as lokacioni prej nga, dhe deri ku është bartur vetura”, njofton Auditori Gjeneral.

Auditori Gjeneral gjithashtu ka gjetur se në dy raste çmimi i faturuar ishte më i lartë se i kontraktuar, raporton Insajderi.

“Çmimi i faturuar për vajin e motorit ishte 14.24€, ndërsa i kontraktuar 9€, ndërsa Semeringut diferencial, çmimi i faturuar ishte 45.78€, ose pothuajse dyfishi i çmimit të kontraktuar 25€; 5 Pozita: Kujdestar i sallës ekspozuese; Punëtorë skenik; Bibliotekistë dhe Rojtar”, njofton ZKA.

Në shumicën e rasteve, pranimi i veturave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të servisuara, nuk është bërë si duhet.

“Përveç që nuk kishte komision të pranimit, mungon nënshkrimi i personit të autorizuar me rastin e pranimit të veturave të servisuara”, njofton Auditori Gjeneral.

Mos aplikimi i kontrolleve përgjatë procesit të servisimit të automjeteve, siç njofton ZKA, rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta. Kjo mund të shkaktoj dëmtim eventual të buxhetit. /Insajderi.com