Ministria e Shëndetësisë kërkon urgjentisht krijimin e Bordit të ri drejtues në SHSKUK

Ministria e Shëndetësisë kërkon urgjentisht krijimin e Bordit të ri drejtues në SHSKUK

Me qëllim të reformave në sektorin e shëndetësisë, zbatimit të ligjshmërisë, funksionimit normal dhe sa më profesional të institucioneve shëndetësore, dhe duke u bazuar në kompetencat e tij ligjore, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka iniciuar sot krijimin e Bordit të ri Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Për këtë qëllim, Ismaili u ka kërkuar sot institucioneve që sipas Ligjit për Shëndetësi e përbëjnë Bordin Drejtues të SHSKUK-së, që në afat sa më të shkurtër, brenda kësaj jave, të propozojnë nga një emër për përfaqësim në këtë Bord, duke u udhëhequr nga kriteret dhe kërkesat që dalin nga Ligji për Shëndetësi dhe Statuti i SHSKUK-së, dhe duke propozuar kandidatë me vlera të larta morale, etike dhe profesionale.

Ministri Ismaili, me rastin e inicimit të krijimit të këtij Bordi, thekson se “për realizimin e këtij synimi duhen institucione që punojnë dhe funksionojnë në bazë të ligjit, e mbi të gjitha për të adresuar brengat e qytetarëve për shërbime shëndetësore të cilësisë së lartë dhe trajtim të barabartë”.

“Mandati i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, i cili kishte pasur mandat tre vjeçar, ka përfunduar me datën 28 janar 2017 dhe si rrjedhojë funksionimi i mëtejmë i kësaj trupe pa mandat dhe me strukturë të pakompletuar, reflekton negativisht edhe në mirëfunksionimin e vet SHSKUK-së dhe politikave shëndetësore në mbarë vendin”, ka thënë Ismaili.

Ministria e Shëndetësisë thotë se si asnjëherë më parë, është e orientuar drejt zbatimit të reformave, rritjes se transparencës dhe llogaridhënies, fuqizimit dhe profesionalizimit të këtij sektori.

Sipas Ligjit për Shëndetësi, Bordi Drejtues i SHSKUK-së emërohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë dhe në përbërjen e tij duhet të ketë: Një përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Një përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Një përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; Një përfaqësues nga Spitalet Rajonale, në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Një përfaqësues nga shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor, në bazë të propozimit të Asociacionit të Komunave të Republikës së Kosovës; Një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë; dhe Një ekspert të menaxhmentit shëndetësor, me kualifikime të larta profesionale dhe shkencore, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.