Ministria e Mjedisit me plan për mbrojtje të pyjeve

Ministria e Mjedisit me plan për mbrojtje të pyjeve

Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, ka pritur sot në takim Ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi, dhe shefin e Agjencionit të Pyjeve, Ahmet Zejnuallhu, me të cilët diskutuan për koordinimin e veprimeve për mbrojtjen e Parqeve Kombëtare dhe në përgjithësi pyjet e vendit.

Në këtë takim u diskutua për ligjin për pyjet, i cili është në fazën përfundimtare të draftimit, e për të cilin u tha se do të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e pyjeve.

“Të gjitha palët u pajtuan që të hartojnë një plan operativ për menaxhimin e pyjeve, me theks të veçantë menaxhimin dhe ruajtjen e hapësirave të Parqeve Kombëtare, dhe eliminimin e barrierave të cilat deri më tani i kanë përcjellë dy ministritë përkitazi me menaxhimin dhe mbrojtjen e Parqeve Kombëtare, por edhe të pyjeve në përgjithësi”, thuhet në një komunikatë dërguar nga Ministria e Mjedisit.

Po ashtu, u potencua edhe nevoja për hartimin e një memorandumi të bashkëpunimit mes Agjencionit të Pyjeve të Kosovës dhe Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, për përdorimin e armëve nga rojet e parqeve, thuhet në komunikatë./Insajderi.com