Ministria e Mjedisit kishte paditur Obiliqin për mosveprim në zonat e mihjes

Ministria e Mjedisit kishte paditur Obiliqin për mosveprim në zonat e mihjes

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka thënë se kjo Ministri kishte ngritur padi ndaj pushtetit lokal të Obiliqit për mosveprim në rastin e moslejimit të ndërtimit të shtëpive në ato zona ku KEK-u ka licencë për shfrytëzimin e thëngjillit

“Inspektorati i MMPH-së, ka ngritur padi ndaj pushtetit lokal për mosveprim. Sipas Kornizës së Politikave për Zhvendosje (KPZH), KEK-sh.a është  dashur të kryejë zhvendosjen gjatë vitit 2015 dhe 2016, mirëpo ka dështuar për të arritur Marrëveshje me pronarët, dhe sipas KPZH-së, kur dështon ky proces kalohet në procedurën e shpronësimit”, thuhet në përgjigjen e ministrit Shala dhënë për Aktivpress.

Ministri Shala gjithashtu ka thënë se me kohë janë sqaruar kompetencat e institucioneve përkatëse rreth rastit të shpronësimeve në atë zonë.

Ai ka thënë se MMPH-ja gjatë kësaj kohe ka ndaluar ndërtimin e shtatë shtëpive.

“Ne në vazhdimësi kemi pasur komunikim me instancat tjera, Pushtetin lokal, Sindikatat, Grupet e Interesit, Përfaqësuesit e Lagjeve, me të gjitha këto palë kemi dhënë sqarimet e nevojshme administrative dhe juridike dhe kemi sqaruar kompetencat e Institucioneve përkatëse. Unë kam angazhuar të gjitha trupat tona inspektuese të cilat kanë ndaluar të gjitha ndërtimet në zonën e interesit të veçantë. Poashtu gjatë kësaj kohe kemi rrënuar 7 pllaka (themele) të shtëpive të cilat kanë filluar të ndërtohen gjatë vitit 2016-2017, dhe nga ajo kohë janë ndalur të gjitha ndërtimet ilegale”, ka thënë ministri Ferat Shala.