Ministria e Kulturës ndanë 450 mijë euro për Preshevën dhe Bujanocin

26.01.2016 13:44

Ministria e Kulturës së Kosovës, do të investojë 450 mijë euro për kulturën në Luginën e Preshevës dhe në Bujanoc.

Ministria e Kulturës ndanë 450 mijë euro për Preshevën dhe Bujanocin

Ky fond do të jepet me qëllim të mbështetjes së qytetarëve të Luginës së Preshevës dhe të Bujanocit, dhe kjo është bërë e ditur sot nga ministri, Kujtim Shala, ku së bashku me kryetarin e këshillit kombëtar shqiptarë në Preshevë, Jonuz Musliu, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi.

Me këtë rast Ministri Shala, ka theksuar se ‘’ky memorandum ka natyrë politike për dallim nga nënshkrimi i memorandumeve të tjera, por që sipas tij, fondi për luginën e Preshevës ka për qëllim të investojë dhe ndihmojë shqiptarët e kësaj pjese’’.

Kryetari i KKSh-së në Preshevë, Jonuz Musliu cilësoi se ky memorandum është bashkëpunim për të cilin kanë nevojë qytetarët e Luginës.

“Ky memorandum bashkëpunimi është historik për shqiptarët e luginës dhe Kosovën se po fillojm themelet e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Preshevës. Qeveria e Kosovës është dorë e zgjatur e shqiptarëve të luginës së Preshevës. Lugina e Preshevës tani ka nevojë dhe një model të tillë shpresojë që të ndjekin edhe ministrant e tjerë të Kosovës”, tha ai.

Derisa kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ndër të tjera ka bërë të ditur se ministri Shala, u ka premtuar se ‘’në seancën e radhës të Qeverisë së Kosovës  do të propozohet që të krijohet një fond i posaçshëm, që do ti dedikohet shqiptarëve të luginës së Preshevës’’. Ai tha se ‘’për shkak të situatës jo të mirë në Luginë ky delegacion do të udhëtojë në Strasburg për të kërkuar mbështetje serioze’’.

Ndërkohë kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se ‘’nënshkrimi i memorandumeve të bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës së Kosovës, mund të jetë thumbuese për Serbinë, megjithatë është inkurajuese si për instuticionet lokale të luginës ashtu edhe për shiqptarët që jetojnë atje’’.