Ministria e Kulturës ndan 51 mijë euro për kampionët e xhudos

Ministria e Kulturës ndan 51 mijë euro për kampionët e xhudos

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot mbi 50 mijë euro për kampionët kosoavrë të xhudos të cilët fituan medalje në Kampionatin Evropain që është mbajtur në prill të këtij viti.

Ministri Kujtim Gashi ka vizituar sot klubin e xhudos në Pejë me ç’rast është takuar me xhudistet Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe trajnerin e xhudos Drion Kuka ku dhe ju ndajtën shpërblimet.

“Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Federatën e Xhudos në Pejë. Me rastin e kësaj vizite, në një ceremoni ku morën pjesë edhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, ministri Gashi, ka ndarë ceqet xhudisteve Nora Gjakova dhe Distria Krasniqit po ashtu edhe trajnerit Driton Kuka. Xhudistja Nora Gjakova është shpërblyer me 20 mijë euro, pas fitores së medaljes së artë në Kampionatin Evropian që është mbajtur në prill të këtij viti, ndërsa xhudistja Distria Krasniqi është shpërblyer me 14 mijë euro për fitoren e medaljes së argjendtë. Ndërkaq trajneri i xhudisteve, Driton Kuka, është shpërblyer me 17 mijë euro”, thuhet në një komunikatë për media.

Gashi ka thënë se “qëllimi i vizitës është që sot të ndaj shpërblimet për trajnerin Driton Kuka, për Norën por edhe për Distrian, si dhe të shoh nga afër kushtet me të cilat ballafaqohet ky klub, këta sportistë, në kuptimin e objektit kur dihet fakti që ka një kohë të gjatë që është mendu dhe është ideu që ta kemi një qendër nacionale të xhudos”.

Ndërkaq trajneri Driton Kuka me këtë rast tha se “është kënaqësi që ndarjen e shpërblimeve për rezultate elitare po e mbajmë në një ambient ku ne stërvisim, ku sportistët tonë janë rrit, janë ndërtu si sportistë, një ambient që tashmë nuk po na zen sepse numri i sportistëve po rritet dita ditës edhe sukseset po ashtu”.

Pas marrjes së shpërblimit Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u shprehën shumë të kënaqura dhe falënderuese për ndarjen e këtyre shpërblimeve.

“Këto shpërblime dhe Ligji për Sport është një motivim edhe një arsye që ne të punojmë edhe më shumë sepse rezultatet tona në bazë të këtij ligji tani e tutje po përkrahen edhe financiarisht. Kjo është shumë e rëndësishme që puna jonë të mos shkoj dëm dhe gjithmonë të mbështetet në mënyrë financiare”, tha Nora Gjakova.

Ndërkaq Distria Krasniqi u shpreh: “Është kënaqësi që sukseset tona po shpërblehen dhe po mbështetemi nga Ministria dhe po shihet që puna jonë po vlerësohet”./Insajderi.com