Ministria e Financave planifikon të kthejë në pikën zero procesin e fiskalizimit

Ministria e Financave planifikon të kthejë në pikën zero procesin e fiskalizimit

Ministria e Financave është duke planifikuar që të ndryshojë procesin e sistemit të fiskalizimit, ka thënë Kestrin Kumnova, zëdhënës i kompanisë Gekos, e cila është e autorizuar nga Qeveria e Kosovës për shitjen e arkave fiskale.

Kumnova ka bërë të ditur se nëse Qeveria e Kosovës merr një vendim të tillë, atëherë kjo do t’iu kushtojë bizneseve.

“Rrjedhimisht 30 mijë biznese duhet t’i heqin arkat fiskale dhe t’i zëvendësojnë ato me sistemin e ri i cili do të ju kushtojë rreth 1 mijë euro dhe mirëmbajtje vjetore mbi 200 euro”, ka shkruar Kumnova në Facebook.

Ai ka thënë se me këtë proces do të plaçkiteshin bizneset kosovare.

“Arkat fiskale nuk kanë nevojë të hiqen sepse sistemi i ri nuk garanton raportim më të mirë të tatimit, nuk është treguar i suksesshëm dhe është i panevojshëm. Kjo është plaqkitje që po planifikohet të iu bëhet bizneseve dhe reagimi i tyre duhet të jetë i fuqishëm”, ka thënë Kumnova.

Qëllimi i vendosjes së arkave fiskale në vitin 2009 ishte evitimi i evazionit fiskal. Deri më tash janë licencuar katër kompani private për shitjen e arkave fiskale. /Insajderi.com