Ministria e drejtuar nga Krasniqi i kishte dhënë grant 150 mijë eurosh biznesit të Kelmendit

22.03.2017 18:55
Ministria e drejtuar nga Krasniqi i kishte dhënë grant 150 mijë eurosh biznesit të Kelmendit

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, e quajti zëvendëskryeministrin e vendit Ramiz Kelmendin, person që “krejt pasurinë e tij e ka krijuar dukë bërë biznes me Serbinë, në dëm të ekonomisë së Kosovës”.

Duke iu përgjigjur një deklarate të Kelmendit, të cilën vet Kelmendi mohoi ta ketë thënë, Krasniqi si nënkryetari i PDK-së, akuzoi ish-anëtarin e kësaj partie, që tash është në LDK, Ramiz Kelmendin se ai “në një anë flet për zhvillim ekonomik në Kosovë e në anën tjetër gjithë biznesin e vet e bën me Serbinë, duke krijuar vende pune atje, në vend se t’i krijojë ato këtu”.

“Para se të flasë dokrra të porositura nga të tjerët, Kelmendi më mirë është të ndalojë importet milionëshe që kompania e tij i bën me Serbinë dhe të fillojë të mbështesë prodhimet e Kosovës, të cilat i ka dëmtuar dhe i dëmton edhe sot”, tha Krasniqi për Gazetën Express.

Por tre muaj më parë, ministria qe drejtohet nga Krasniqi, i kishte dhënë një grant prej 150 mijë eurosh, biznesit pronë e Ramiz Kelmendit.

Zëvendëskryeministri i vendit Ramiz Kelmendi, kompania e të cilit sipas dokumenteve të Ministrisë së Bujqësisë kishte fituar një grant prej 150 mijë eurove përmes kompanisë së tij “Elkos”, kishte thënë për Insajderin, se ka urdhëruar anulimin e marrjes së këtij granti.

Disa ditë më pas kjo u bë edhe zyrtarisht, duke nxitur edhe Agjencinë Kundërkorrupsion që të nxjerrë një vendim në bazë të të cilit thuhet se Kelmendi e ka shmangur konfliktin e interesit.

Megjithatë Kelmendi në reagimin e tij ndaj deklaratës së Krasniqit, nuk e përmendi fare grantin e fituar.

Kelmendi vetëm ia kujtoj një fakt Krasniqit.

“Memli, jam Ramiz Kelmendi i njëjtë, që gjersa isha në PDK, në konsideratën tënde isha, një punëdhënës i madh dhe i suksesshëm,ekonom i Kosovës dhe rajonit, mbështetës i zhvillimit ekonomik, veçanërisht i projekteve të bujqësisë, isha i përkrahur dhe i respektuar e kështu me radhë”, ka shkruar Kelmendi./Insajderi.com

Lexoni në Insajderi, edhe rrugëtimin e Ramiz Kelmendit nga një parti në tjetrën:

Ramiz Kelmendi- Kërcënimi për postin e adhurueshëm dhe akuzat për dyfytyrësi