Arratiset një i pandehur, Ministria e Drejtësisë suspendon katër punonjës në Lipjan

Arratiset një i pandehur, Ministria e Drejtësisë suspendon katër punonjës në Lipjan

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se ka suspenduar nga puna dy mbikëqyrës – njëri prej tyre mbikëqyrës i lartë dhe dy oficerë, pas arratisjes së një të paraburgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan të shtunën.

“Pas kryerjes se inspektimeve preliminare, SHKK ka ndërmarr hapa urgjent duke suspenduar nga puna një mbikëqyrës të lart, një mbikëqyrës dhe dy oficer. Këto janë masat e marra deri në përfundim tëhetimeve përfundimtare“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Shërbimit Korrektues të Kosovës.

I arratisuri, i identifikuar si Labinot Bellagoshi, i pandehur për vjedhje dhe grabitje, është arratisur të shtunën në mëngjes nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan.

SHKK po ashtu ka njoftuar se është duke inspektuar në vendin e ngjarjes rrethanat e arratisjes. /Insajderi.com