Ministria e Ambientit: Komuna e Prishtinës jashtëligjshëm dha leje për ndërtim rreth “Rrugës B”

Ministria e Ambientit: Komuna e Prishtinës jashtëligjshëm dha leje për ndërtim rreth “Rrugës B”

Plani rregullues i lagjes “Mati1”  i miratuar në vitin 2011 në kuvendin komunal të Prishtinës, është i jashtëligjshëm dhe si i tillë nuk bënë të zbatohet në teren, andaj të gjitha lejet ndërtimore të dhëna në këtë zonë duhet të anulohen.

Kjo është përgjigja që ministria e mjedisit i ka kthyer Klan Kosovës kur u pyet se a janë legjitime lejet ndërtimore të dhëna kompanisë “Dervisholli” nga komuna e Prishtinës, për ndërtim rreth rrugës “B” në lagjen Mati 1 në kryeqytet.

Sipas përgjigjes së ministrisë, që nga viti 2013 pas inspektimit të bërë nga MMPH, kjo ministri i ka dhënë urdhër drejtorisë së urbanizmit tw kësaj komune që vendimi për ndryshim planit rregullues urban “ MATI1” i miratuar në korrik 2011 të anulohet.

“Pasi është në kundërshtim me ligjin, dhe të gjitha lejet ndërtimore të dhëna të anulohen”.

Sipas MMPH asnjëherë nuk është zbatuar ky vendim i ministrisë nga drejtoria e urbanizmit në komunën e Prishtinës, e as tash kur i është dhënë leje ndërtimore kompanive që të ndërtojnë ndërtesa banimi në atë zonë.

MMPH kërkon nga banorët e lagjes MATI 1 që t’i drejtohen instancave më të larta për mos ekzekutimin e rekomandimeve të dhëna nga kjo ministri.