Ministria dhe Komuna nën asistimin e policisë shembin disa shtëpi në Hade

Ministria dhe Komuna nën asistimin e policisë shembin disa shtëpi në Hade

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues të Komunës së Obiliqit, të shoqëruar nga forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, me ekskavatorë kanë bërë shembjen e themeleve të shtëpive në Hade të Vjetër duke shkaktuar reagim të ashpër të banorëve, të cilët mendojnë se një aksion i tillë kryhet për të mbuluar dëmet dhe krimin ekonomik, që ka përcjellë procesin e zgjerimit të mihjeve.

Rreth 50 banorë të Hades kanë dalë për të protestuar ndërsa ekskavatorët bënin shembjen e 7 themeleve të shtëpive në Haden e Vjetër.

Forumi për Iniciativë Qytetare (FIQ), përmes një komunikate ka thënë se “ky aksion është bërë pa paralajmërim paraprak për banorët rreth shembjes së themeleve të shtëpive; banorëve që kishin dalë për të protestuar nuk i është treguar asnjë dokument ligjor, apo urdhëresë e gjykatës për shembjen e themeleve të shtëpive; banorët e irrituar deklarojnë se vetë shembja e themeleve po bëhet në mënyrë selektive, duke shmangur shembjen e themeleve të pronave të individëve që janë të afërt me pushtetin dhe që në mënyrë të paligjshme kanë ndërtuar shtëpi me qëllim kompensimin e mëvonshëm financiar.

FIQ thotë se, duke u bazuar në komentet e zyrtarëve të inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, se ky aksion do të vazhdojë, banorët deklarojnë se do të mbrojnë pronat e tyre private qoftë edhe me protesta të dhunshme, pasi që e konsiderojnë këtë aksion si shkelje e të drejtave të njeriut./Insajderi.com

p3

p2

p1