Ministri Tahiri prezanton një plan, thotë se do ta luftojë korrupsionin

Ministri Tahiri prezanton një plan, thotë se do ta luftojë korrupsionin

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar sot para gazetarëve Planin Zhvillimor Strategjik katërvjeçar.

 

Tahiri tha se plani për periudhën 2018-2021, para se gjithash, mbështetet në nevojën e rishikimit dhe reformës së gjithëmbarshme të sistemit të drejtësisë në vend, në realizimin e obligimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës Evropiane të Reformave.

Ai theksoi se pjesë fundamentale e këtij plani është lufta e fuqishme dhe e pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, Tahiri theksoi domosdoshmërinë për rishikimin e legjislacionit të fushës penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, legjislacionin për gjyqësorin dhe prokurorinë, si dhe kodifikimin e legjislacionit të fushës civile.

Tutje, Tahiri theksoi se në epiqendër të Planit Zhvillimor është bashkëpunimi i ngushtë dhe bashkërendimi me shtetet mike dhe të gjitha institucioneve dhe mekanizmave ndërkombëtarë në funksion të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në  vend.

Ministri Tahiri shpalosi pesë objektivat strategjikë të planit: përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale; avancimin e ndihmës dhe bashkëpunimit juridik; administrimin më efikas të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale; fuqizimin e kapaciteteve të mjekësisë ligjore dhe hulumtimin e krimeve të luftës dhe; zhvillimin e kapaciteteve profesionale për funksionim efikas në fushën e drejtësisë.