Ministri i Malit të Zi: Kosova do ta ratifikojë demarkacionin

30.11.2017 19:25
Ministri i Malit të Zi: Kosova do ta ratifikojë demarkacionin

Mali i Zi nuk lëkundet nga qëndrimet e tij karshi marrëveshjes së demarkacionit me Kosovën.

Ai vazhdon të besojnë se nëse jo tash, atëherë në një kohë të caktuar, institucionet kosovare do ta ratifikojnë atë marrëveshje.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq, në një intervistë për Rubikon të KTV-së, vlerësoi punën e dy komisioneve, atij shtetëror dhe ndërkombëtar.

Ministri malazias theksoi se fillimisht presin ratifikimin e marrëveshjes në parlamentin kosovar, ndërsa në rast të dëshmive të reja, të dy shtetet mund të negociojnë tutje.

Gjykata e Arbitrazhit nuk është opsion për Malin e Zi. Darmanoviq tha se për këtë duhet të ekzistojë vullneti i dy palëve, çka në këtë rast ai i Malit të Zi mungon.