Ministri malazez thotë se vendi i tij e ka kryer punën për demarkacionin me Kosovën

Ministri malazez thotë se vendi i tij e ka kryer punën për demarkacionin me Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sergjan Dermanoviq, ka thënë se shteti i tij e ka bërë pjesën e vet lidhur me demarkacionin me Kosovën dhe se problemet e krijuara rreth vijës kufitare i sheh si çështje të brendshme të Kosovës.

Këtë qëndrim ministri malazez e ka bërë gjatë një vizitë në Tiranë, ku është takuar me homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushati.

“Ne e kemi bërë pjesën tonë. Kemi vepruar në përputhje me traktatet dhe të drejtat ndërkombëtare. Kështu që problemin e krijuar me demarkacionin ne e shohim më shumë si një çështje të brendshme politike të Kosovës dhe mesa dimë, ata nuk kanë probleme me ne,” ka deklaruar ministri malazez.

“Ne nuk e kushtëzojmë Kosovën në asnjë formë për këtë çështje. Ne jemi të durueshëm dhe duhet të presim që forcat politike në Kosovë të gjejnë një mënyrë se si të zgjidhin këtë çështje”, deklaroi Darmanoviç, njofton Top Channel.

Kosova nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen me Malin e Zi, edhe pse kjo marrëveshje është nënshkruar më shumë se një vit më parë.

Në takim me homologun e tij malazez, Bushati ka prekur dhe çështjen e pazgjidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, atë të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve.