Ministri Lluka para Gjykatës: Nuk e dija që veprimi im shkakton konflikt interesi

Ministri Lluka para Gjykatës: Nuk e dija që veprimi im shkakton konflikt interesi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij para trupit gjykues ka mohuar akuzën për konflikt interesi në gjykimin që bashkë me të po akuzohet edhe ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Eljana Naka.

Valdrin Lluka, po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për Organizatën Jo-Qeveritare (OJQ) “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eliana Naka, me 2 qershor 2014, kishte marrë vendim që mjetet prej 20 mijë eurove, t’i ndahen si mbështetje financiare OJQ-së “Jakov Inovation Center”, ku kishte qenë drejtoreshë e Bordit.

Lluka gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se nuk ka pasur pozitë udhëheqëse në OJQ në momentin kur është bërë zotimi apo transferimi i mjeteve që janë objekt i akuzës.

I njëjti ka thënsë se ka qenë themelues i OJQ-së me vendimin e ministres së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari.

Lluka ka thënë se Ai ka thënë se kur ka nënshkruar kërkesën për zotim më 23 maj 2014 ka pasur pozitën e Kryeshefit të Agjencisë për Promovim të Investimeve.

“Vetëm kryeshefi nënshkruan kërkesën e zotimit e është i autorizuar,  me përjashtim të rasteve kur është jashtë shtetit”, ka thënë ai.

Valdrin Lluka tutje ka shpjeguar edhe si ka shkuar procedura pas nënshkrimit të kërkesës për zotimin e mjeteve.

“ Nënshkrimi është bërë pasi jam larguar nga përgjegjësitë e personit autorizues sipas vendimit të bordit pasi ishte personi i ri. Atëherë ka ardhur kërkesa për subvensionim nga Fatos Axhemi, është themeluar komisioni që e ka vlerësuar kërkesën dhe ka rekomanduar lejimin e mjeteve, në bazë të rekomandimit është bërë lejimi i zotimit të mjeteve. Ajo kërkesë ka shkuar në zyrën e financave të MTI. Pas zotimit bëhet marrëveshje të OJQ dhe Qendrës Inovative. Marrëveshja është nënshkruar nga ministri Bernard Nikaj dhe drejtori i OJQ Fatos Axhemi. Me këtë marrëveshje janë paraparë raportet reciproke” ka shpjeguar Lluka.

Kurse, ai ka thënë se mjetet financiare janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve operative të vitit të parë të OJQ-së.

“Pasi jeni caktuar si themelues i OJQ , sa konsideroni se vendimi ka korresponduar me udhëzimin administrativ 17/2013 duke qenë që keni qenë Kryeshef i Agjencionit të Ivonacionit?” ishte pyetja që bëri për të akuzuarin kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi.

“Duke qenë se nuk jam jurist, nuk e kam menduar në atë moment që mundem të shkaktoj konflikt. Ne e kemi marr si shtytje përpara të qendrave inovative për tërë Kosovën”, ka thënë Lluka.

Ai ka thënë se caktimi i tij si themelues i OJQ-së konsideron se është bërë në pajtim me udhëzimin administrativ me numër 17/2013, kurse shtoi se nuk ka qenë pjesë e bordit menaxhues.

Tutje Lluka ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur rast të ketë nënshkruar ndonjë dokument në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Inovation Jakova Center, kurse tha se nuk ka pasur vendim në formë të shkruar për caktim si Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së.

Në gjykatore deklarimin e saj e ka bërë edhe e akuzuara tjetër në këtë rast Eljana Naka.

Ajo ka thënë se ka qenë anëtare e bordit të OJQ-së sepse është caktuar me vendim të eprores së saj, ish-ministres së MTI, Mimoza Kusari-Lila.

Naka ka deklaruar se bordi i Jakova Inovation Center ka pasur për detyre mbikëqyrjen e aktiviteteve për faktin që MTI është njëra ndër sponsorët e asaj organizate.

“Keni deklaruar në prokurori se roli juaj në OJQ ka qenë monitoruese, ndërsa nga vendimi i ministres së MTI jeni caktuar edhe anëtare e bordit , e më pas del që keni qenë kryetare e bordit. Cila është e vërteta?” ishte pyetja e prokurorit Arian Gashi.

“Nënshkrimi im në vendimin e bordit të drejtorëve të OJQ  ka qenë vendim sipas marrëveshjes aty për aty i bordit për atë rast. Kam pasur rol të monitorueses në bord, ndërsa në rastin konkret ka qenë vetëm momenti i vlerësimit të kandidatëve”, është përgjigjur e akuzuara.

Ajo ka thënë se personalisht  nuk ka kërkuar opinion nga Agjencioni Kundër Korrupsion (AKK) se a mund të mbaj dy pozitat, kurse tha se është informuar është lëshuar opinion ligjor nga AKK më vonë kur e ka parë në dosje.

Nga anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi, ajo është pyetur se a ka marr vendim që mjetet në shumë prej 20.000 euro t’i jepen OJQ-së në fjalë.

“ Unë kam marr vendim për ndarjen e mjeteve nga kategoria e subvencioneve, si vendim që rezulton nga procedurat paraprake”, është përgjigjur ajo.

Ajo ka thënë se vendimi i saj nuk e ka obliguar certifikuesin zyrtar nëse dokumentacioni nuk ka qenë i kompletuar.

“Nuk ka qenë obligim i imi që të kujdesem për kompletimin e dokumentacionit sepse ky obligim i takon departamentit të financiar. Ky vendim për opinionin tim nuk ka qenë obligues për divizionin e buxhetit dhe financave” ka vazhduar duke deklaruar ajo.

Kurse, kryetari i trupit gjykues e ka pyetur se a e ka lexuar këtë vendim, ndërsa ajo është deklaruar se e ka lexuar.

“A nuk jeni në dijeni që në pikën 4 të vendimin thuhet se obligohet divizioni i financave dhe buxhetit për zbatimin e këtij vendimi?”, e ka pyetur kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi.

“Nuk e mbaj mend që vendimi ceket pagesa”, ka thënë ajo.

Tutje, e akuzuara ka thënë se sa ka dijeni me rastin e dedikimit të shumës asnjë palë e interesuar nuk është vënë në pozitë të pabarabartë dhe  se në dijeninë e saj  në lidhje me ndarjen e këtij subvencioni nuk ka palë të dëmtuara.

“Unë nuk kam qenë si individ aty, por si përfaqësuese e MTI në një institucion të themeluar nga MTI dhe nuk kam pasur asnjë përfitim “ ishte fjalia me të cilën e akuzuara Naka e përfundoi deklarimin e saj.

Paraprakisht, para paraqitjes së mbrojtjes nga të akuzuarit, në shqyrtimin e së premtes janë paraqitur edhe fjalët hyrëse të palëve në procedurë, e pas deklarimit edhe fjalët përfundimtare të tyre.

Palët në procedurë, sikurse mbrojtja e edhe prokuroria kanë deklaruar se qëndrojnë prapa fjalës hyresë së dhënë më 18 dhjetor të vitit 2017.

Prokurori Arian Gashi, ka prezantuar provat të cilat anë të theksuara në aktakuzë, sikurse kërkesa për subvencione e OJQ-së,  kopja e regjistrimit të biznesit të OJQ-së, kopja e certifikatës me numër fiskal të OJQ-së, vendimi për caktimin e zyrtarëve në komisionin vlerësues,  rekomandimi i komisionit vlerësues, kërkesa për zotimin e mjeteve, vendimi i datës02 qershor 2016 mes sipas të cilit mjetet financiare i janë ndarë OJQ-së që është nënshkruar nga e akuzuara Naka, etj.

Kurse, avokati i Llukës, Artan Qerkini ka propozuar që si prova të administrohen vendimi i ish-ministres së MTI-së, Mimoza Kusari Lila si dhe vendimi i bordit të drejtorëve të OJQ-së.

Me provën e parë, mbrojtja deklaroi se pretendon të vërtetoj faktet se Lluka dhe Naka kanë qenë pjesë e OJQ-së me vendim të ministres dhe se kanë pasur për obligim ta zbatojnë të njëjtën.

Kurse, me provën e dytë mbrojtja tha se synon të provoj faktin se me 15 prill 2014, Lluka është zëvendësuar në postin e tij nga Fatos Axhemi, ndërsa kërkesa për zotimin e mjeteve është bërë më 23 maj 2014, në kohën kur Lluka nuk ka qenë përfaqësues ligjor i OJQ-së.

Prokurori Gashi, ka deklaruar se këto prova nuk janë kontestuese, dhe se të dyja përcaktojnë dy situata juridike.

Propozimi i avokatit Qerkini u aprovua nga trupi gjykues i kryesyar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, duke prezantuar më pas si provë opinionin e Agjencionit Kundër Korrupsion, i cili ka thënë se OJQ nuk duhet të ishte përfituese e mjeteve të MTI pasi dy anëtarët në cilësinë e personave zyrtarë kanë pasur ndikim në vendimmarrje me rastin e përfitimit të subvencioneve.

“Prokuroria është në njohuri të opinionit dhe konsideron se AKK është institucioni më kompetent për të dhënë mendime të tilla bazuar në ligj. Ky opinion e mbështet dhe forcon aktakuzën që është objekt i shqyrtimit gjyqësor.”, deklaroi prokurori Gashi.

Kurse, këtë e ka kundërshtuar mbrojtja e Llukes.

“Parimisht kur jemi te opinionet ligjore, unë mendoj se gjykata është ajo që më së miri e njeh ligjin dhe nuk ka nevojë për opinione të organeve administrative dhe prandaj opinioni paraqet pikëpamje ligjore të një organi administrativ dhe rrjedhimisht nuk mund ta ketë cilësinë e provës,  AKK, gjatë opinionit ka marr parasysh vetëm një ligj, prandaj ky opinion është i mangët”, ka thënë avokati Qerkini.

Tutje, palët kanë paraqitur edhe fjalët e tyre përfundimtare.

Prokurori Gashi, ka deklaruar se edhe nga provat e edhe nga vet deklaratat e të pandehurve është vërtetuar se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.

Sipas tij, përtej dyshimit të bazuar është vërtetuar se ata kanë kryer veprat penale, e këtë e vërteton edhe opinioni i AKK-së. Prandaj, ai ka kërkuar që gjykata t’i shpall fajtorë dhe dënimin ta shqiptoj në bazë të ligjit.

Kurse,  mbrojtësi i Llukës, Artan Qerkini ka pyetur se për çfarë konflikti të interesit mund të bëhet fjalë kur nuk është vërtetuar se Lluka ka pasur interes personal me kërkesën e tij për zotimin e mjeteve.

Sipas tij, prokuroria po kërkon që Lluka të mos e zbatoj Ligjin për Zona Ekonomike, udhëzimin administrativ, vendimin e ministres e gjithë kornizën ligjore e nënligjore të MTI-së në lidhje me subvencionimin e inkubatorëve të biznesit.

Ai ka thënë se mungojnë elementet e veprës penale dhe se e kupton presionin mbi prokurorinë për ta luftuar korrupsionin, mirëpo sipas tij ata nuk duhet të jene pre e këtij presioni sepse dhënia e drejtësisë është e shenjtë, dhe ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet.

Edhe avokatja e Nakës, Teuta Zhinipotoku ka thënë se nuk është vërtetuar se e mbrojtura e saj ka kryer veprën penale për shkak se nuk vërtetohet se ka pasur konflikt interesi i cili mund të kryhet kur ka përfitim personal.

Sipas saj, prokuroria nuk e ka vërtetur se ka pasur përfitim, andaj ka kërkuar që klientja e saj të lirohet.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 23 korrik në ora 15:00.