Ministri i Jashtëm turk sfidon autoritetet gjermane

Ministri i Jashtëm turk sfidon autoritetet gjermane

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se do të takojë sot votuesit turq në Gjermani, edhe pse autoritetet lokale kanë mbyllur vendin e tubimit.

“Do të shkoj. Askush nuk mund të më ndal”, i tha Cavusoglu gazetës turke Hurriyet, një ditë pasi një zëdhënëse komunale në Hamburg tha se qendra ku është dashur të flasë ministri, është mbyllur, pasi nuk ka pasur sistem për detektimin e zjarrit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka akuzuar Berlinin më 5 mars për veprime “naziste”.

Këto komente janë bërë pasi autoritetet në Gjermani kanë tërhequr lejen për tre tubime të tjera në mbështetje të planeve të Turqisë, për të zgjeruar pushtetin e presidentit.

Propozimet shkojnë në referendum në muajin prill.

Erdoganit i duhet mbështetje e fuqishme nga komuniteti turk në Gjermani, për të siguruar kalimin e reformës.