Ministri i Jashtëm shqiptar: Moska kërkon të ndalë integrimin e Ballkanit

23.03.2017 17:52
Ministri i Jashtëm shqiptar: Moska kërkon të ndalë integrimin e Ballkanit

Është e një rëndësie kyçe që Shtetet e Bashkuara ta thellojnë angazhimin e tyre në Ballkan, një rajon i përballur me kërcënimin terrorist dhe përpjekjet e Rusisë për shtrirjen e influencës së saj.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi gjatë një interviste në Këshillin Atlantik se Ballkani gjendet përballë disa sfidave të sigurisë.

Ai po kështu kujtoi tentativat e Moskës për ta rritur ndikimin e saj dhe tha se Rusia po përpiqet shumë fort t’ua ndalojë vendeve të Ballkanit anëtarësimin në BE dhe NATO.

Kur flasim për rrugën Euro-Atlantike dhe procesin e aderimit në BE, kujtoi shefi i diplomacisë shqiptare, duhet të marrim parasysh reformat.

Partia Demokratike, tha ai për “New Atlanticist”, është duke e penguar këtë proces. “Është paradoksale të shohësh një parti politike që e pozicionon veten kundër rrymës dhe kundër vullnetit të shqiptarëve”, tha Bushati.

Ministri kërkoi në mënyrë të veçantë që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ta shtojnë angazhimin e tyre në Shqipëri, i cili sipas Bushatit, më fort duhet të fokusohet në tre drejtime: reformën në sektorin e sigurisë, reformën e gjyqësorit dhe zhvillimin ekonomik.

Mbështetja për bllokun europian është vanitur në disa prej vendeve anëtare, ku politikanët anti-BE po pluskojnë me një valë populizmi. Por në Shqipëri ajo vazhdon të mbetet e lartë.

“BE-ja shihet si pol tërheqjeje për vendet europiane që janë në proces anëtarësimi. Në rastin e Shqipërisë, ajo konsiderohet si nxitje për të zhvilluar ekonominë, për të transformuar shoqerinë tonë, për të  modernizuar mënyrën sesi funksionojnë institucionet dhe jeta publike”, tha Bushati, njofton top channel.

Përfitimi, sipas tij, do të ishte i dyanshëm. Afrimi i Shqipërisë është edhe në interes të bllokut, sepse, në arsyetimin e ministrit tonë të Jashtëm, këtu flitet për zgjerimin e sistemit të levave dhe të stabilitetit në mbarë kontinentin.