Ministri i Jashtëm austriak: Erdogan me “tipare diktatoriale”

Ministri i Jashtëm austriak: Erdogan me “tipare diktatoriale”

Austria konsiderohet si vendi më kritik ndaj Turqisë në BE. Edhe deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm austriak, Sebastian Kurz janë të forta.

Presindeti turk, Recep Tayyip Erdogan po “e zhvillon vendin e tij në drejtim të gabur dhe të rrezikshëm”, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz për gazetën gjermane “Die Welt”.

Mënyra e tij e veprimit me kritikët, ata që mendojnë ndryshe dhe pakicat është “absolutisht e papranueshme”. Konkluzioni i Kurz: “Presidenti Erdogan tregon definitivisht tipare diktatori.”

Lidhur me anëtarësimin e Turqisë në BE, Kurz ka theksuar se “edhe pse Ankaraja synon një anëtarësim në BE deri në vitin 2023, kjo nuk do të ndodhë.

” Europianët janë të ndërgjegjshëm, se në vitin 2023 përkujtohet 100 vjetori i themelimit të republikës turke. “Por duhet thënë qartë: Ky vend po largohet gjithnjë e më shumë nga Europa, ndikimet ekonomike për të dy vendet do ishin të pakalkulueshme dhe përveç kësaj anëtarësimi do të strapaconte aftësitë integruese të BE-së.”

Austria, sipas Kurz e mbështet pozicionin e kancelares Merkel që e refuzon “për momentin” zgjerimin e unionit doganor me Turqinë, njofton DW.

“Ashtu siç shkelen aktualisht në Turqi vlerat bazë të demokracisë dhe të drejtat e njeriut, nuk është aspak realist unioni doganor me Turqinë”, është shprehur Kurz, që ndodhet në fushatë elektorale për zgjedhjet parlamentare në Austri në tetor.

Qeveria në Ankara është mjaft e interesuar që të zgjerojë unionin doganor që ekziston nga viti 1996 edhe për produktet bujqësore, tenderat publikë dhe shërbimet. Turqia shpreson nga kjo më shumë rritje ekonomike.(DW)