Ministri izraelit: Shkatërrimi i reaktorit nuklear sirian ishte mesazh për Iranin

Ministri izraelit: Shkatërrimi i reaktorit nuklear sirian ishte mesazh për Iranin

Bombardimi i reaktorit nuklear sirian nga ana e Izraelit në vitin 2007 ishte porosi për Iranin se Izraeli nuk do t’i lejojë Teheranit që të vijë deri te arma bërthamore, ka deklaruar sot ministri i inteligjencës izraelite Israel Katz.

“Me atë operacion dhe suksesin e tij është bërë me dije qartë se Izraeli kurrë nuk do të lejojë që arma bërthamore të gjendet në duart të atyre të cilët e cenojnë ekzistencën e tij – në atë kohë Sirisë, dhe sot Iranit”, ka pretenduar Katz.

Ministri izraelit për inteligjencë këtë e ka sqaruar disa orë pasi Izraeli, për herë të parë, ka pranuar se në vitin 2007 ka kryer sulm ajror në stabiliminetet Al-Kubar në rajonin Deir al-Zour, transmeton Insajderi.com.

Ushtria izraelite ka kumtuar se me atë sulm është larguar një kërcënim i madh për Izraelin dhe rajonin dhe se ky është “mesazh” për të tjerët.

“Mesazhi i sulmit në reaktor i kryer në vitin 2007 ishte që Izraeli nuk do të tolerojë ndërtimin i cili mund të paraqesë kërcënim ekzistencial. Kjo ishte porosia e vitit 1981, kjo ishte porosia e vitit 2007, dhe kjo është porosia e ardhshme për armiqtë tanë”, ka deklaruar sot shefi i Shtatmadhorisë së forcave të armatosura të Izraelit Gadi Eizenkot.

Nga perspektiva e Izraelit, ky sulm ishte jashtëzakonisht i suksesshëm sepse jo vetëm që është shkatërruar reaktori, por është penguar eskalimi dhe është përforcuar fuqia e Izraelit në frikësim në rajon, dhe më pas doli se pikërisht kjo zonë në Siri u gjend në duart e Shtetit Islamik.

Përndryshe, goditja e vitit 2007 ka përkujtuar sulmin izraelit në reaktorin i cili ishte në ndërtim në Irak në vitin 1981, dhe i cili me siguri e ka penguar Sadam Hussein-in të blejë armë për shkatërrim masiv e cila kishte mundur të përdoret në Luftën e Gjirit një dekadë më vonë.

Me kumtesën e sotme, Izraeli ka hequr sekretin e një prej operacioneve më të guximshme dhe më misterioze në histori të re, vlerëson agjencia amerikane.

Vendimi i Izraelit që sot të publikojë kumtesën për këtë sulm ka pasuar pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu muajt e fundit disa herë ka bërë thirrje për SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar të ndërmarrin aksion më të ashpër kundër aleatit të Sirisë, Iranit./Insajderi.com.