Ministri i qeverisë Haradinaj: Ndjehem i obliguar që një pagë ta ndajë për dënimin e Shaqirit dhe Xhakës

Ministri i qeverisë Haradinaj: Ndjehem i obliguar që një pagë ta ndajë për dënimin e Shaqirit dhe Xhakës

Dënimi i FIFA-s me nga 10 mijë euro për Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, për gjestin e bërjës së shqiponjës në ndeshjen kundër Serbisë, ka ngjallur reagime edhe të politikanëve kosovarë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka shkruar në Facebook, duke thënë se nuk paguhen me para emocionet që i sollën dy kosovarët, të cilët luajnë për kombëtaren e Zvicrës.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër – Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë”, ka shkruar Hasani.

Ai ka shtuar se përkundër që Shaqiri dhe Xhaka, kanë mundësi financiare ta paguajnë gjobën, ai ndjehet i obliguar që ta ndajë një pjesë nga paga e tij për ta bërë këtë pagesë.

“Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndjehem i obliguar që një pagë timen ta ndajë për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni, djema e na bëni krenar!”, ka përfunduar shkrimi i ministrit Hasani.