Ministri Hoxhaj ftohet të raportoj për rrahjen e zyrtarëve

30.09.2016 14:16
Ministri Hoxhaj ftohet të raportoj për rrahjen e zyrtarëve

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës e ka ftuar ministrin e Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj për të raportuar lidhur me rrahje në mes të zyrtarëve të lartë dhe disa parregullsive brenda kësaj ministrie.

Ftesa tashmë i është dorëzuar ministrit dhe anëtarët e Komisionit janë në pritje që ai t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

Zafir Berisha, anëtar i këtij komisioni ka thënë se kjo ministri është shndërruar në arenë boksi ku zyrtaret grushtohen mes vete.

“ MPJ duhet të jetë ambasador pozitiv i përfaqësimit të shtetit dhe derisa rrihen me grushte e shkelma nuk e di çfarë pasqyre do të kemi para faktorit ndërkombëtar

Ai tha se arsyeja tjetër pse Hoxhaj është ftuar për raportim është edhe disa parregullsi në punësime në këtë institucion.

“Kemi marrë një letër nga shërbyes të kësaj ministrie në të cilën thuhet se ka shkelje drastike lidhur më punësimin dhe ngritjen në karrierë. Një numër i caktuar i shërbyesve në këtë ministri kanë nënshkruar një peticion për të cilin janë në dijeni presidenti, kryeministri, ministri i MPJ-së dhe Komisioni Parlamentar për Punë të jashtme”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Në fillim të këtij muaji sekretari i Përgjithshëm i ministrisë Fitim Sadiku dhe një zyrtar i lartë në këtë ministri, Vlorat Gashi janë rrahur mes veti, e si pasojë e këtij veprimi ata janë suspenduar nga puna./Insajderi.com