Ministri Hoti e Bajram Gecaj nuk guxojnë të komentojnë për keqpërdorimet e Goran Rakiqit

Insajderi

Insajderi Agron Canolli

29.03.2017 16:58

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka kërkuar që ministritë përkatëse të merren me shkeljet ligjore të Goran Rakiqit, kryetar i Mitrovicës së Veriut. Kjo kërkesë është duke u shpërfillur nga Ministria e Financave që menaxhon paratë publike dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që mbikëqyrë ligjshmërinë e autoriteteve komunale.

Ministri Hoti e Bajram Gecaj nuk guxojnë të komentojnë për keqpërdorimet e Goran Rakiqit

Ministria e Financave, e udhëhequr nga ministri Abdullah Hoti, ka vendosur që të heshtë dhe të mos komentojë lidhur me të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, të cilat tregojnë për keqpërdorimin e buxhetit të Kosovës nga Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Ngjashëm ka vepruar edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila në mungesë të ministrit, udhëhiqet nga zv/ministri Bajram Gecaj.

Insajderi ka kërkuar nga këto dy ministri për masat që do të ndërmarrin pas zbulimit të keqpërdorimit të qindra mijëra eurove nga kryetari Rakiq.

Auditori i Përgjithshëm, në raportin e publikuar në muajin shkurt të këtij viti ka njoftuar se ka pasur abuzim të qindra mijëra eurove të Fondit për Veriun, i paraparë për investime kapitale në pjesën veriore të Kosovës.

Komuna e Mitrovicës së Veriut një projekt në vlerë prej rreth 400 mijë eurosh e kishte regjistruar zyrtarisht si investim kapital, ndonëse ishte i kategorisë mallra e shërbime. Kjo, sipas auditorëve, bie ndesh me parimet e themelimit të Fondit për Veriun.

Fondi prej mbi 11 milionë eurosh, i krijuar me paratë që mblidhen në pikat doganore në Jarinje dhe Bërnjak, menaxhohet nga një bord i përbërë nga përfaqësues të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Financave dhe përfaqësues të komunave veriore të Kosovës.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përgjegjësinë e mbikëqyrjes së zbatimit të ligjshmërisë nga autoritetet lokale.

Por, zëvendësministri Bajram Gecaj deklaroi për Insajderin se nuk mund të merren me rastin e kryetarit Rakiq.

“Nuk është kjo çështje në mandatin e Ministrisë sonë”, deklaroi Gecaj.

Një përgjigje e ngjashme i është dhënë Insajderit edhe nga Zyra për Media e kësaj ministrie.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk është kompetente për të ofruar informata lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, Zyra për Media e Ministrisë së Financave nuk ka kthyer ende përgjigje në pyetjet e Insajderit.

I vetmi mekanizëm që ka kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje është Zyra e BE-së në Prishtinë, që e udhëheq bordin menaxhues të Fondit për Veriun.

“Ne kemi marrë parasysh të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditorit në Fondin Zhvillimor. Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë (EUSR) si Kryetar i Bordit Menaxhues të Fondit Zhvillimor së bashku me anëtarët e tjerë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të adresuar rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit që i janë drejtuar Bordit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Sipas tyre, duhet që edhe autoritetet komunale dhe ministritë përkatëse të bëjnë adresimin e tyre në çështjet që janë identifikuar në projektet e zbatuara nga ana e tyre.

Por, një kërkesë e tillë e BE-së që ministritë përkatëse të merren me adresimin e kësaj çështjeje, nuk është duke u përfillur nga Ministria e Financave dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Zyra e BE-së ka premtuar se bashkë me autoritetet qeveritare të Kosovës do të merren me adresimin e tri shkeljeve të kryera nga autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut.

Përveç regjistrimit si investim kapital të projektit të emërtuar “Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, i cili nuk është i tillë, autoritetet komunale të Mitrovicës së Veriut kanë kryer edhe dy shkelje tjera të ligjit.

Insajderi ka raportuar para dy javësh se Auditori i Përgjithshëm kishte zbuluar se organizatës RDA North, e cila implementoi këtë projekt, i është dhënë kundërligjshëm paradhënie nga kryetari Rakiq.

Po ashtu, më pas i janë paguar paratë pa dorëzuar raporte për kryerjen e punëve./Insajderi.com