Ministri i Financave: Nga 1 janari do të ketë rritje të pagave

Ministri i Financave: Nga 1 janari do të ketë rritje të pagave

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka prezantuar projektbuxhetin për 2018 para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, i cili sipas projeksioneve për 2018 pritet të ketë rritje ekonomike 4.6 për qind.

Hamza ka thënë se te pjesa e shpenzimeve janë rritur për 272 milionë euro.

“Sipas këtyre projeksioneve për vitin 2018-të presim që rritja ekonomike e vendit e matur përmes bruto prodhimit vendor të jetë 4.6 % në terma reale. Kjo rritje e projektuar pritet të mbështetet mbi të gjitha nga niveli i rritur i investimeve duke përfshi edhe ato publike, konsumi dhe rritja e eksporteve të vendit. Ne presim që në vitin 2018 në total të hyrat e buxhetit të jenë në vlerë prej 1 miliard e 821 milionë euro, e cila është më e lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2017-të për rreth 6 % apo shprehur në milion 104 milionë euro më tepër”, tha Hamza.

Ai ka thënë se në buxhetin e vitit të ardhshme parashihet të ketë rritje të pagave për sektorin publik.

“Shpenzimet buxhetore janë rritur për 272 milionë euro apo 15 % në krahasim me rishikimin e buxhetit të rishikuar të vitit 2017-të. Duke arrit shumën totale prej 2 miliardë e 82 milionë euro. Shpenzimet për kategorinë paga dhe mëditje për vitin 2018-të janë paraparë të jenë 589 milionë euro, një rritje prej 4.3 % në raport me shpenzimet parashikuara për paga dhe mëditje me rishikimi e buxhetit 2017-të. Ky buxhet për paga dhe mëditje parasheh rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik nga 1 janari i vitit 2018, si dhe pagat për rritje të punësimit në strukture strategjikë të vendit”, ka deklaruar Hamza gjatë prezantimit të projekt buxhetit.