Ministri e harron “huqjen”, thotë se do të punojë shumë për sundimin e ligjit

Ministri e harron “huqjen”, thotë se do të punojë shumë për sundimin e ligjit

Sot, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur nё takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, i cili fillimisht uroi ministrin Tahiri për detyrën e re.

Gjatë këtij takimi, Ministri Tahiri, e falënderoi Ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin e deritanishëm që ka pasur në të kaluarën me Ministrinë e Drejtësisë dhe ka vlerësuar lartë marrëdhëniet ndërshtetërore në rrafshin bilateral, duke theksuar bashkëpunimin që institucionet e Kosovës vazhdojnë ta kenë me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, sidomos në fushën e rendit dhe sundimit të ligjit.

Ministri Tahiri shprehu përkushtimin për të punuar me intensitet tё shtuar në të ardhmen në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, si dhe në forcimin e integritetit të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Por, ministri nga PDK kishte realizuar një huqje të madhe në deklarimin e tij të parë si ministër i Drejtësisë. Në ditën e formimit të qeverisë Haradinaj, Abelard Tahiri kishte thënë se do të punonte për forcimin e sundimit të ligjit, dhe për forcimin e “krimit të organizuar e korrupsionit”.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kishte lëshuar këtë deklaratë kontradiktore përmes një shkrimi në Facebook. Por, pastaj Tahiri e kishte rregulluar gabimin e tij. I kishte bërë “edit” postimit të tij në Facebook, duke shtuar se do të “punojë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Derisa ndjej përgjegjësi të partë për detyrën që do ta ushtroj, jam jashtëzakonisht i impenjuar që së bashku me të gjithë kolegët pranë MD-së të punojmë në forcimin e sundimit të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi fillimisht Tahiri, për ta korrigjuar pastaj shkrimin e tij.

Tahiri vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). /Insajderi.com