“Ministrat e rinj tregojnë muskujt”

“Ministrat e rinj tregojnë muskujt”

Me të ardhur në pushtet Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, ministrat të cilat ai i ka zgjedhur të udhëheqin digastere të rëndësishme shtetërore, sipas Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ata kanë vepruar në kundërshtim me mandatin që ata e kanë.

KMDLNj është shprehur se ministrat e rinj menjëherë në marrjen e detyrës kanë filluar t’i tregojnë muskujt.

Përmes një komunikate për media ata kanë përfshirë të gjitha shkarkimet të cilat i kanë bërë deri më tani ministrat e Qeverisë Haradinaj.

Komunikata e plotë:

KMDLNj konsideron se menjëherë pas formimit të Qeverisë së Kosovës, disa ministra u treguan shumë entuziastë duke vepruar edhe në kundërshtim me mandatin që e kanë dhe duke iu nënshtruar një oportuniteti politik ekskluzivisht në baza partiake e që nuk do të duhej të ndodhte pasi që Qeveria e Kosovës duhet të jetë në shërbim të qytetarëve që e kanë votuar por edhe të atyre që nuk e kanë votuar.

Veprimet e disa ministrave KMDLNj i konsideron si të ngutshme, të pamenduara mirë dhe të dëmshme.

“Ministri i MASHT –it, z. Bytyqi , ende pa e nxerë mirë karrigen, e shkarkoi Komisionin Kombëtar për Cilësi dhe Akreditim me një arsyetim të përgjithësuar dhe aspak bindës e që pastaj emëroi një komision tjetër i cili ende nuk ka dëshmuar se është më cilësorë se ai paraprak dhe se e ka merituar të “akreditohet” nga ministri i MASHT –it”, thuhet në reagimin e KMLDNj.

Sipas këtij këshilli, edhe ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri po tregon muskuj dhe po premton gjëra që nuk i kanë realizuar , së bashku të gjithë ministrat e Drejtësisë të qeverive të mëparshme e që lehtësisht mund të përfundojë në një ëndërr të një nate vjeshte, pa e përmbushur as 10-20% e premtimeve.

“Bëri mirë që ndau mjetet për “rastin Dehari”, siguroi mjete për një shkollë në Luginën e Preshevës e që nuk është nën përgjegjësinë e tij, e emëroi kryeprokurorin e shtetit, Z. Lumezi në krye të komisionit për Jurisprudencë në kohën ku pikërisht provimi i Jurispodencës e ka vënë kryeprokurorin para problemeve të mëdha , për ta pezulluar këtë emërim , deri në përfundim të hetimeve të cilat , pa asnjë dyshim , do ta nxjerrin z. Lumezi të pafajshëm dhe këtë gjë e ka shumë të qartë edhe z. Tahiri, ministër i Drejtësisë”, theksohet në reagim.

Edhen Ministri i Diasporës, Dardan Gashi sipas KMDLNj-së e shkarkoi me një procedurë të përshpejtuar sekretarin Osman Shahini, me arsyetim se ka një performancë të dobët shkaku se, sipas sekretarit Shahini blerja e një telefoni mbi 1000 euro për Gashin ka dal të jetë performim i dështuar.

“Ka qenë një kohë shumë e shkurtër të matet performanca e sekretarit Shahini sikur që është kohë gjithashtu e shkurtër të matet performanca e ministri të Diasporës, z. Dardan Gashi”, thekson KMDLNj.

Sipas këtij këshilli edhe ministri i brendshëm Flamur Sefaj, bëri ndërhyrje flagrante në punën dhe pavarësinë e Inspektoriatit Policor të Kosovës duke e pezulluar përzgjedhjen e 16 inspektorëve të IPK –së , sipas tij për , shkak të ankesave të atyre që nuk janë pranuar duke ndërhyrë gjithashtu edhe në punë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës që ka kompetencë ekskluzive shqyrtimin e ankesave, vendimi i të cilës është detyrues për institucionet e Kosovës e që në shumë raste nuk e përfillin, si edhe ndërhyrje në punët e gjykatave, si autoritet i vetëm për zgjedhje të kontesteve të tilla.

“Në këtë mënyrë, z. Sefaj e futi Inspektoriatin e Policor të Kosovës në kontest me 16 inspektorë të zgjedhur sipas konkursit dhe të cilët në çdo përballje gjyqësore do të fitojnë rastin e kjo do t’i kushtojë mjete Buxhetit të Kosovës”, theksohet tutje.

KMDLNj , pret nga kryeministri Haradinaj , i cili deri më tani ka menaxhuar me sukses disa raste siç janë veteranët e luftës, viktimat e dhunës seksuale të luftës, rasti i Kumanovës e sidomos pritja e familjes Dehari si dhe premtimi se do të trajtohet kërkesa e familjes Dehari në përputhje me kërkesën e familjes Dehari , të jetë shumë i vëmendshëm në veprimet e ministrave të kabinetit qeveritar që e drejton, në të kundërtën do të bëhet pjesë e përgjegjësisë për veprimet dhe vendimet e ministrave.