Ministrat e rinj – Abuzimi i fundit financiar i Qeverisë Mustafa

Ministrat e rinj – Abuzimi i fundit financiar i Qeverisë Mustafa

Derisa partitë po dështojnë të formojnë institucionet , kryeministri në detyrë Isa Mustafa, ka emëruar ministra të rinj në Qeveri, të cilët edhe pse pritet të shërbejnë përkohësisht, do të gëzojnë përfitime  edhe pas përfundimit të mandatit.

Ish-Shefja e Kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, Vlora Dumoshi, do të përfitojë 70 për qind të pagës së ministres edhe një vit pas mbarimit të mandatit të saj si ministre, që nuk pritet të zgjatë më shumë se disa ditë.

Bashkëpunëtorja e ngushtë e Mustafës për shumë vite, është emëruar së fundi në pozitën e ministres së Kulturës, pozitë kjo që ka mbetur bosh pasi që kolegu i saj partiak, Kujtim Shala, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Bazuar në një vendim të nëntorit të vitit 2015 të nënshkruar nga Mustafa, “zëvendëskryeministrave, ministrave të Qeverisë dhe drejtorit të AKI-së, u njihet e drejta e pagës për një vit pas mbarimit të mandatit të tyre.”

Pararendësi i Dumoshit në këtë pozitë, Shala, ka pasur një pagë vjetore prej 17 mijë eurove.

Kryeministri Mustafa ka zëvendësuar thuajse shumicën e ministrave që kanë qenë pjesë e kabinetit të tij qeverisës.

Një pjesë e ish-ministrave janë zëvendësuar në këto pozita nga zëvendësministrat, të cilët bazuar në vendimin e vitit 2015, do të kishin përfitime më të vogla nëse nuk do të emëroheshin në postin e ministrit.

Kjo pasi që bazuar në vendimin e qeverisë, paga e ish-zëvendësministrave do të paguhet gjashtë muaj pas përfundimit të mandatit, dhe jo një vit sikurse ministrat.

Njohës të çështjeve politike besojnë se ministrat e zgjedhur deputetë në fakt do ët mund të mbanin pozitat e tyre deri në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 11 qershor, por vendi ende ka mbetur pa institucionet e tij. Deputetët kanë bërë betimin, por kuvendi nuk është konstituuar ende, meqë partitë po dështojnë të gjejnë një zgjidhje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Mungesa e kryetarit të Kuvendit bllokon edhe formimin e Qeverisë.

Zëvendësministrat që janë bërë ministra, e që pritet të përfitojnë nga vendimi qeveritar janë: Agim Krasniqi, i emëruar në pozitën e Ministrit të Financave, Hanefi Muharrremi, Ministër i Infrastrukturës, Ministër i Punës, Safet Kamberi, Emanuel Demaj, Ministër i Punëve të Jashtme, Kurtan Kajtazi, Ministër i Bujqësisë.

Mustafa poashtu emëroi të premten ish-këshilltarin e tij për ekonomi, Valentin Tocin si Ministër të Tregtisë.

Por, Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Mustafa, ka arsyetuar vendimin duke thënë se deputetët nuk mund të mbajnë pozita në ndonjë post ekzekutiv në administratën publike. Në një prononcim për KTV, ai ka thënë se kjo nuk do të përbëjë as kosto shtesë meqë të emëruar veçse kanë pasur pozita në kabinetin qeveritar.

Pagat e ministrave dallojnë varësisht se në cilat ministri mbajnë pozitën e udhëheqësit. Për shembull, ushtruesi i detyrës së ministrit të Financave, Agim Krasniqi do të përfitojë mbi 14 mijë euro nga 70 për qindëshi i pagës që do të përfitojë, pas largimit nga detyra.

Ndërkaq, zëvendësuesi i Arban Abrashit në krye të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Safet Kamberi do të përfitojë rreth 10 mijë euro nga 70 për qindëshi i pagës aktuale që merr si ushtrues detyre i ministrit.

E zëvendësuesi i Enver Hoxhajt, Emanuel Demaj, i cili u emërua të enjten ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Jashtme, do të përfitojë mbi 12 mijë euro një vit pas mbarimit të punës si ushtrues detyre.

Kurtan Kajtazi do të përfitojë 9,721 euro një vit pas mbarimit të punës së tij si ushtrues detyre i ministrit të Bujqësisë. Kjo pasi nga 70 për qindëshi i rrogës së ministrit (13,888), Kajtazi do të përfitojë 70 për qind të kësaj page.

Totali i kostos që do t’i kushtojë shtetit për pagesat e 70 përqindëshit për secilin nga këta ministra të rinj, një vit pas mbarimit të detyrës, do të jetë afër 50 mijë euro.

Por, kostoja e shtetit do të ishte dukshëm më e ulët, nëse katër ministrat e rinj nuk do të emëroheshin në këto pozita. Paga e një zëvendësministri në Qeverinë e Kosovës varion nga 6 mijë deri në 7 mijë euro. E zëvendësministrat do të përfitonin për gjashtë muaj nga rreth 4 mijë euro.

Shuma që shteti do duhej t’i paguante atyre, në rast se do të merrnin pagën e zv/ministrave për gjashtë muajt pas largimit nga qeveria, do të ishte rreth 15 mijë euro. /Insajderi.com