Kusari-Lila sfidohet në Gjakovë nga personi që e quajti “prostitutë publike”

Kusari-Lila sfidohet në Gjakovë nga personi që e quajti “prostitutë publike”

Pak ditë pasi Mimoza Kusari-Lila i dha fund koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës në Gjakovë në qershor të këtij viti, deputeti i PDK-së Hajdar Beqa e ofendoi rëndë atë duke e quajtur “prostituë publike”.

E pas këtij reagimi, Kusari-Lila iu kundërpërgjigj Beqës duke i thënë se “duhet të ketë turp” për deklaratën e dhënë.

“Turp të kesh ti dhe subjekti që përfaqëson për kategorizimin e tillë të gruas në vendimmarrje”, ka shkruar Mimoza Kusari-Lila në profilin e saj në Facebook.

Por, Beqa u mundua të arsyetohej për fjalët e thëna. Tha se deklarata e tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit, raporton Insajderi.

“Nxjerrja jashtë kontekstit e deklaratës time është dashakeqëse dhe tendencë për të denigruar personalitetin dhe aktivitetin tim politik”, deklaroi Beqa, duke u munduar të shfajësohej për deklaratën e dhënë.

Por, përkundër kësaj deklarate, Beqa nuk ka pësuar rënie në politikë – së paku brenda partisë së tij, PDK. Ata kanë vendosur ta kandidojnë Beqën për kryetar të Gjakovës më 22 tetor, kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

Në këto zgjedhje, Beqa do ta sfidojë kryetarën aktuale të komunës dhe lideren e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila. /Insajderi.com