Mimoza Kusari – Lila e quan të shenjtë Shtëpinë muze Qerkezi

Mimoza Kusari – Lila e quan të shenjtë Shtëpinë muze Qerkezi

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, së bashku me kandidatët për Asamblenë Komunale nga Alternativa, ka vizituar sot Shtëpinë muze të familjes Qerkezi, me ç’rast është pritur nga familjarët e personave të pagjetur dhe përfaqësueset e shoqatës “Thirrjet e Nënave”.

Me këtë rast, kryetarja Kusari Lila ka thënë se Shtëpia muze e familjes Qerkezi, përjetimet e familjarëve të personave të pagjetur dhe gjithë sakrifica e tyre për liri, duhet të na shoqërojë hap pas hapi në ndërtimin e shtetit tonë.

“Kemi ende shumë punë për të bërë për forcimin e shtetit tonë, andaj edhe këto zgjedhje lokale janë një mundësi tjetër që sukseset për Gjakovën të vazhdojnë në mënyrë që të përmbyllet një kapitull ku Gjakova ndër vite ka qenë e lënë pas dore. Sot, nuk kemi ardhur për fushatë, por kemi ardhur që të vizitojmë një vend të shenjtë, i cili është sinonim i sakrificës së përgjithshme të popullit tonë për liri. E rëndësishme është që kauza e juaj të përfundojë sa më shpejtë me gjetjen e familjarit të fundit që konsiderohet i pagjetur si dhe sa më parë të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkaktuar këtë plagë të madhe për vendin tonë”, tha ndër të tjera kryetarja Mimoza Kusari Lila.

Nga ana tjetër, nëna, Ferdonije Qerkezi, ka falënderuar kryetaren për gjithë mbështetjen e dhënë gjatë 4 viteve të qeverisjes, si dhe ka parashtruar kërkesën që Komuna të vazhdojë këtë mbështetje në botimin e një monografie për familjen Qerkezi si dhe në përgatitjen e një padie ndaj dorasëve të krimit në familjen Qerkezi.