Mijëra gra shtatëzëna nga qytetet e Kosovës mbesin pa përkujdesje – shteti fajëson rënien e natalitetit

Mijëra gra shtatëzëna nga qytetet e Kosovës mbesin pa përkujdesje – shteti fajëson rënien e natalitetit

Në disa komuna të Kosovës kanë filluar të mbyllen qendrat e lindjeve ‘materniteteve’, në të cilat janë të punësuara Mamitë, të cilat janë të specializuara për të përcjellë lindjet normale të grave shtatzëna.

Ankesat për mbylljen e qendrave të lindjeve drejtuar institucioneve janë të shumta, duke filluar nga gratë, të cilat kanë thënë se tani nuk mund t’i kryejnë lindjet në qytetet e tyre, dhe se mbylljet e qendrave të lindjeve në komunat e tyre i detyron ato që të shkojnë në qytete të tjera.

Ankesa po kanë edhe Mamitë duke thënë se mbyllja e materniteteve do të vështirësojë marrjen e shërbimeve për gratë në komuna të vogla të Kosovës, dhe se pas mbylljes ato nuk dinë se ku të drejtohen.

Mamia Xhejrane Lokaj nga Dragashi ka bërë të ditur se deri më tash janë mbyllur disa qendra të lindjeve. Lokaj i frigohet trendit të mbylljeve të materniteteve nëpër komunat e Kosovës.

“Kemi informatë se në Kaçanik veç është mbyllë materniteti para tre viteve. Flitet me të madhe se në Istog do të ndodhë diçka e tillë, materniteti i Dragashit po ashtu i nënshtrohet diçkaje të tillë, materniteti i Klinës dhe kam frikë dhe nëse vazhdon ky trend i mbylljes nuk do të mund t’i rezistojnë edhe komunat tjera”, tha ajo.

Ditë më parë ‘Shoqata e Mamive të Kosovës’ në bashkëpunim me ‘Rrjetin e Grave në Kosovës’ organizuan një konferencë gjatë të cilës është diskutuar rreth mbylljes së materniteteve në Kosovë.

Edona Hajrullahu, përfaqësuese nga Institucioni i Avokatit të Popullit, ka thënë se gratë shtatzëna janë një hallkë tejet e rëndësishme e një populli dhe se ato duhet që ti inkurajojmë që të kërkojnë shërbime nga maternitetet.

“Gratë shtatzëna duhet të trajtohen në mënyrë efikase pasi që kujdesi për gratë përbënë një hallkë të rëndësishme. Duhet të informojmë dhe inkurajojmë gratë që të kërkojnë shërbime nga maternitetet”, ka thënë Hajrullahu.

Ndërsa Igballe Rugova, nga ‘Rrjeti i Grave të Kosovës’ ka thënë se gjatë takimin me ministrin e Shëndetësisë kanë marrë shumë premtime që mbyllja e materniteteve nuk do të lejohet.

Insajderi ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë për arsyet e mbylljeve të qendrave të lindjeve nëpër komuna.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri i lindjeve në Kosovë është zvogëluar dhe se prej vitit në vit, që nga paslufta ky trend i lindjeve ka vazhduar duke u zvogëluar.

“Numri i lindjeve në Kosovë është zvogëluar dhe bazuar edhe në raportet e gjendjes perinatale në Kosovë, prej viti në vit, që nga paslufta ka vazhduar ky trend i lindjeve të raportuara nga institucionet shëndetësore si publike ashtu edhe private. Më 2015 shembull janë raportuar gjithsej 24.611 lindje , apo rreth 2000 lindje më pak krahasuar me vitin 2014 ( 26565).Vetëm 5% e lindjeve kanë ndodhur në maternitetet e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSh)”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në përgjigjen e Ministrisë së shëndetësisë thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë diskutuar dhe planifikuar asnjëherë mbylljen e materniteteve, por menaxherët e institucioneve aty e kanë bërë ri-organizimin e brendshëm.

“Duke qenë që në disa maternitete në Komuna, numri i lindjeve ka qenë simbolik, për shkak të kost-efekasitetit, menaxherët e institucioneve aty kanë bërë ri-organizimin e brendshëm me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve, duke i angazhuar stafin e mesëm të materniteteve për të ndihmuar shërbimet e tjera, në mungesë të pacientëve që kanë shkuar për të lindur aty. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë diskutuar dhe planifikuar asnjëherë mbylljen e materniteteve”, thuhet në përgjigjen e tyre drejtuar Insajderit.

Ata kanë thënë se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në vlerësimin e performances së materniteteve.

“Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në vlerësimin e performances së materniteteve në KPSh dhe në bazë të analizës dhe rezultateve nga ky vlerësim, MSH do të hartoje politika konform nevojave të popullatës, por një analizë e asaj se a kanë llogari institucionet primare të mbajnë maternitete aty ku nuk ka lindje, duhet bërë gjithsesi”, thuhet në përgjigje.

Ata gjithashtu kanë përmendur të drejtën e pacientes në përzgjedhjen e institucionit për lindje, privat apo publik, dhe se .Maternitetet janë pjesë e institucioneve shëndetësore në Komuna, të cilat financohen me grnatin qeveritar për shëndetësi drejtpërdrejt nga Qeveria në vlerë prej mbi 50 milionë euro.

“Sidoqoftë, çdo herë respektohet  e drejta e pacientes, e cila mundet të zgjedh, sipas ligjit, ku dëshiron ta marr shërbimet e lindjes,  përfshirë institucionet publike dhe private. Maternitetet janë pjesë e institucioneve shëndetësore në Komuna, të cilat financohen me grnatin qeveritar për shëndetësi drejtpërdrejt nga Qeveria në vlerë prej mbi 50 milionë euro”, thuhet në reagimin e tyre. /Insajderi.com