Meta: Qeveria e Kosovës dhe opozita të gjejnë zgjidhje për demarkacionin

21.11.2017 16:20
Meta: Qeveria e Kosovës dhe opozita të gjejnë zgjidhje për demarkacionin

“Uroj që pas zgjedhjeve vendore në Kosovë, Qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën, të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Demarkacionit përfundimisht e Malin e Zi, por edhe për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Presidenti Meta ka bërë thirrje edhe për një hetim ndërkombëtar në lidhje me rastin ”Kumanova”.

Fillimisht dua të ndalem tek roli që ka Shqipëria si shtet në rajon. Në kohën kur Serbia luan një rol aktiv për mbrojtjen e interesave të serbëve kudo që ndodhen, në këtë kontekst cili është roli i Shqipërisë kundrejt interesave të shqiptarëve?

Ilir Meta: Besoj se Shqipëria ka një rol tepër pozitiv për gjithë shembullin dhe përkushtimin e saj për forcimin e marrëdhënieve me fqinjët dhe bashkëpunimin rajonal, si një shtyllë e fortë e gjithë e filozofisë dhe angazhimit të saj për evropianizimin e këtij rajoni. Dhe natyrisht se në këtë drejtim dhe në këtë koncept, ajo ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar për të inkurajuar dhe për të përkrahur shqiptarët kudo në rajon që të fitojnë të drejtat e tyre në varësi dhe me gjendjen në rajon, në raportin ku ata kanë ndodhur dhe janë si qytetarë të Evropës, ku duam të anëtarësohemi të gjithë.

Në këtë drejtim, do të dua të ndalem dhe në atë se si e shihni në ngritjen e çështjes së pasaportave qe ka kërkuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për qytetarët e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj BE-së karshi liberalizimit te vizave.

Ilir Meta: E kam mirëkuptuar kërkesën publike të presidentit Thaçi, si një apel për një zgjidhje sa më të shpejtë për zgjidhjen e çështjes së liberalizimit të vizave. dhe jo si një alternativë reale për tejkalimin e këtij ngërçi apo izolimi të qytetarëve të Kosovës, nga një proces ku janë përfshirë gjithë vendet e rajonit prej kohësh, sepse jo vetëm që nuk është e drejtë do të thosha unë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të kenë këtë pengesë, por njëkohësisht besoj se marrja e shtetësisë shqiptare nuk do të kishte asnjë zgjidhje për të lehtësuar lëvizjen e tyre drejt vendeve të zonës Shengen, për arsye se vetë Shqipëria është një vend që është e detyruar të tregojë kujdes të vazhdueshëm, sa i takon gjithë detyrimeve që burojnë nga zbatimi I liberalizimit të vizave.

Pra, kjo do të ishte një lëvizje joproduktive, një lëvizje joracionale nga e cila vetë qytetarët e Kosovës jo vetëm se nuk do të përfitonin, por mund të dëmtoheshin edhe ata të Shqipërisë, kështu që besoj se ky qëndrim është një mesazh për një sensibilizim më të madh edhe ndërkombëtarë besoj edhe Evropa për t`i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, e cila sikurse e dimë është lidhur prej disa kohësh me një çështje tjetër që është ajo me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, dje unë besoj dhe uroj se pas zgjedhjeve vendore në Kosovë, Qeveria e re e Kosovës në bashkëpunim edhe me opozitën, të gjejë bashkëpunim për të ecur përpara dhe për të zgjidhur jo vetëm çështjen e Demarkacionit përfundimisht e Malin e Zi, por edhe për të përfituar nga liberalizimi i vizave të gjithë qytetarët e Kosovës.

Zoti President, në deklaratën tuaj pas takimit që kishit me presidentin e Maqedonisë, ju keni inkurajuar autoritete e Maqedonisë për hetim dhe proces gjyqësor transparent për rastin e Kumanovës. A nënkupton kjo dhe kyçjen e faktorit ndërkombëtar. Çka nënkuptoni me atë më shumë transparencë?

Ilir Meta: Pa diskutim se vlerësoj se edhe angazhimi i faktorit ndërkombëtar, i cili reformat në drejtësi dhe performancën e institucioneve të drejtësisë i ka në qendër të vëmendjes, besoj se angazhimi faktorit ndërkombëtar do të ishte një veprim pozitiv për rritje e transparencës në fazat tjera të gjykimit të kësaj çështjeje. Dhe për të garantuar një drejtësi të standardeve evropiane, larg çdo lloj paragjykimi apo dyshimi që krijon mosbesim.

Zoti Meta, vizita e juaj përkon me festën e alfabetit, ndërkohë që në Parlamentin e Maqedonisë zhvillohet debat rreth Ligjit që rregullon përdorimin zyrtar të shqipes. Në njërën anë kemi ekspertët që thonë se shqipja mbetet lag gjuhës maqedonase sa i përket zyrtarizmit të saj dhe faktori politik shqiptar që është pjesë e Qeverisë që thotë se me këtë ligj, shqipja zyrtarizohet në të gjitha institucionet. Ju si e shihni këtë çështje?

Ilir Meta: Unë besoj se çështja e Ligjit të gjuhëve është në proces. Ne kemi diskutuar edhe me autoritetet maqedonase edhe me të gjithë drejtuesit e forcave politike shqiptare këtu, po kështu në këtë drejtim ka dhe një angazhim të faktorit ndërkombëtarë në këtë drejtim. Pra, është një proces më kompleks. Kemi marrë garanci edhe nga përfaqësuesit forcave politike shqiptare, jo vetëm ata që janë në Qeveri, po dhe ata në opozitë, se do të bëjnë më të mirën për të arritur maksimumin në këtë drejtim dhe shpresoj që në fund të kemi një legjislacion i cili sjell një arritje pozitive dhe shumë të pritur për gjithë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë.

Gjatë kësaj vizite në Shkup kenë vënë theksin mbi rëndësinë e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, duke shprehur mbështetje të parezervë të shtetit shqiptar në këtë drejtim për t’i dhënë shtytje Maqedonisë në këtë proces. Gjatë qëndrimit në Shkup jeni takuar dhe liderin e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskin, i cili shihet si personaliteti që i ka dhënë hapësirë influencës ruse gjatë kohës kur ai qeveriste me shtetin si kryeministër.

Ilir Meta: Unë besoj se stabiliteti dhe siguria e Maqedonisë paraqet stabilitet edhe për Shqipërinë dhe për gjithë rajonin, dhe në këtë besoj se gjatë tre apo katër muajve të ardhshëm janë vendimtar për të zgjidhur një çështje të bartur gati prej një dekade, dhe unë jam më optimist do të thosha si asnjëherë, për mundësin e realizmit apo të kësaj arritje historike, gjithë forcat politike shqiptare janë të angazhuara në këtë drejtim dhe e kuptojnë sesa e rëndësishme është që Maqedonia të jetë anëtare e NATO-s po edhe që Maqedonia të zhbllokojë proceset e integrimit evropian, pasi këta dy kolona të forta do të mund të realizojnë edhe ata deficite që shqiptarët ndjejnë këtu në Maqedoni, sa i takon të drejtave dhe realizmit të një barazie të plotë. Po shpresoj që edhe vetë opozita maqedonase të kontribuojë në këtë drejtim, pavarësisht rrugëve të ndryshme që ajo mendon, pasi edhe ajo është e përcaktuar për anëtarësimin në NATO dhe për anëtarësimin në BE, ndërkohë që Qeveria aktuale dhe kryeministri i ri janë tepër të vendosur për të bërë çdo gjë sa i përket arritjes së këtyre objektivave sa më shpejtë.

Zoti President, ju shpreheni me tone shumë optimiste se Maqedonia mund të bëjë kthesa shumë të mëdha sa i përket anëtarësimit në NATO ku e mbështesni këtë optimizëm?

Ilir Meta: Po jam më optimist si asnjëherë më parë. Së pari këtë optimizëm e mbështes tek situata në Maqedoni, angazhimi dhe përkushtimi i Maqedonisë dhe i Qeverisë së Maqedonisë nuk kanë qenë asnjëherë në këto nivele që janë sot. Gjithë forcat politike shqiptare janë qartësisht për t`i shërbyer këtij prioriteti, po besoj dhe shpresoj edhe opozita maqedonase të ketë një qasje sa më konstruktive dhe bashkëpunuese që mund të jetë e mundur në këtë drejtim. Pra, ka një tërësi faktorësh që mund të sjellin një produkt pozitiv dhe të prekshëm si asnjëherë më parë.