Meta në Kosovë për përvjetor të Rugovës – takohet me Haradinajn flasin për integrimin në BE

Meta në Kosovë për përvjetor të Rugovës – takohet me Haradinajn flasin për integrimin në BE

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në vizitë presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin siç tha ai, kanë diskutuar tema të ndryshme. Por, kur është pyetur për demarkacionin dhe Gjykatën Speciale, Meta nuk ka pasur ndonjë mendim, vetëm ka thënë se ‘është çështje e institucioneve të Kosovës’.

“Është në Kosovë në një vizitë të kujdesit për përvjetorin e ish-presidentit Rugova. Kemi shfrytëzuar rastin të vazhdojmë një bisedë që e kemi hapur para do dite në Tiranë. Është një bisedë edhe vëllazërore por kuptohet që ne diskutojmë edhe temat që janë me rëndësi për Prishtinën dhe Tiranën”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, Meta ka thënë se kanë diskutuar me Haradinajn çështje të ndryshme, por në veçanti me tema të integrimeve evropiane.

“Shpreh admirimin më të veçantë për veprën e presidentit Rugova. Natyrisht se kemi diskutuar me kryeministrin Haradinaj lidhur me gjithë perspektivën me të cilën Kosova është e angazhuar apo është e kyçur siç është ajo e integrimeve evropiane. Besoj se duhet të bëjmë çdo gjë edhe si Shqipëri edhe si Kosovë për të përmbushur zotimet tona në rrugën e integrimeve. Sa i takon strategjisë së zgjerimit është e rëndësishme të ketë konsideratë në gjithë vendimmarrjen, në mënyrë që i gjithë rajoni të inkurajohet dhe të ketë data apo afate inkurajuese sa i përket procesit të reformave që ta kalojë ky vend në një vend evropian”, ka thënë Meta, shkruan Periskopi.

Ndërkohë, Meta është pyetur nga gazetarët edhe për çështjen e demarkacionit dhe Gjykatës Speciale, për të cilat kanë thënë se ‘është çështje e institucioneve të Kosovës’.

“Besoj se këto janë zgjidhje të cilat do të japin institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.