“Messi i Kosovës” dëshiron hapësirë tek Genk, ka një mesazh për Bunjakin

“Messi i Kosovës” dëshiron hapësirë tek Genk, ka një mesazh për Bunjakin

Talenti 18-vjeçar nga Kosova, Edon Zhegrova, i cili cilësohet si “Messi i Kosovës” në Belgjikë, ka thënë se është i gatshëm të luajë për Kosovën nëse merr ftesë nga selektori Albert Bunjaki.

Zhegrova i cili luan me skuadrën e RKC Genk në Belgjikë, ishte ftuar nga trajneri i skuadrës Albert Stuivenberg ishte ftuar vetëm për ndeshjen e parë të kampionatit belg kundër Waasland-Beveren.

Që prej asaj ndeshje, ai ka luajtur vetëm me skuadrën e dytë të Genk. Por, tani, Zhegrova dëshiron më shumë hapësirë në skuadrën e njohur nga Belgjika. Ai, po ashtu ka pasur ftesë nga përfaqësuesja U-21 e Kosovës për ndeshjet kualifikuese të shtatorit, por Zhegrova thotë se dëshiron të luajë për përfaqësuesen A.

“Ata më thirrën, por në U21 nuk ndihesha shumë mirë”, tha Zhegrova për mediumin belg Het Belang Van Limburg. “Nëse Albert Bunjaki, trajner i ekipit kombëtar, më kontakton, do të doja ta mendoja këtë si mundësi, pasi deri tani unë nuk kam luajtur asnjë ndeshje zyrtare ndërkombëtar”.

Para se të transferohej në Belgjikë, Zhegrova kishte luajtur me skuadrat e mosave të FC Prishtinës dhe KF Flamurtarit nga Prishtina. /Insajderi.com