Messi me fjalë të pabesueshme për Chelsean si 19-vjeçar në vitin 2006

Messi me fjalë të pabesueshme për Chelsean si 19-vjeçar në vitin 2006

Leo Messi kishte dhënë një deklaratë befasuese për Chelsean në vitin 2006, kur ai ishte vetëm 19-vjeçar.

Shorti përcaktoi që Barcelona të ketë përballë Chelsean në fazën me eliminim direkt në Ligën e Kampionëve – ku skuadrat do të takohen në këtë garë për herë të parë pas gjashtë vitesh.

Dy klubet kanë dhuruar emocione të shumta përgjatë viteve, me rivalitetin e tyre i cili daton që nga sezoni 2004/05.

Por, Leo Messi kishte dhënë disa deklarata të forta për Chelsean në vitin 2006, të cilat kanë filluar të riqarkullojnë pas hedhjes së shortit.

Argjentinasi i kishte bërë këto komente para një përballje në fazën e grupeve kundër ‘Bluve’.

Sulmuesi i Barcelonës, atëherë 19-vjeçar, kishte thënë se ka lojtarë që e urrejnë Chelsean më shumë se Real Madridin.


Leo Messi kundër Chelseat në vitin 2012, ku kishte humbur një penallti dhe Barcelona ishte eliminuar në gjysmëfinale

“Ka lojtarë këtu të cilët e urrejnë Chelsean më shumë se Real Madridin”, kishte thënë Messi për News of the World, transmeton Insajderi

“Unë kurrë nuk kam menduar se do ta dëgjoja veten duke e thënë këtë. Po ashtu kurrë nuk kam menduar se do të shikoja një rivalitet më të keq se ai në mes të Boca Juniors e River Plate, apo Brazil – Argjentina, por kjo është”, kishte deklaruar Messi.

“Ne më përpara do të ishim përballur me Arsenalin, Manchester Unitedin apo dikë tjetër, në vend të Chelseat”, ishte deklarata tjetër e Messit.

Në karrierën e tij me Barcelonën, Leo Messi është përballur me Chelsean tetë herë, duke mos e shënuar asnjë gol, në gjithsej 29 gjuajtje – rekordi më i dobët ky i argjentinasit ndaj një klubi të vetëm në karrierë.

Takimet Chelsea – Barcelona do të zhvillohen vitin e ardhshëm në kuadër të fazës së 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, në muajt shkurt dhe mars. /Insajderi