Vetëm edhe një votë duhet të sigurojë Qeveria e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes për Ratifikimin e Kufirit me Malin e Zi, pasi PDK, LDK, AAK, Nisma dhe AKR kanë arritur marrëveshje për votimin e demarkacionit.
Nëse Lista Srpska nuk e jep së paku një votë, kosovarët do të vazhdojnë izolimin.
Pro izolimit vazhdon të jetë edhe Lëvizja Vetëvendosje bashkë me krahun e Molliqajt që tashmë janë larguar nga partia.
Në Partinë Demokratike të Kosovës janë shprehur se janë unik për votimin pro të kësaj marrëveshjeje. Ky subjekt politik që ka 23 ulëse në Kuvend, kanë thënë se të gjithë janë njëzëri për ta çuar tutje çështjen e Demarkacionit.
Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së ia kishte konfirmuar ambasadorit amerikan se të gjithë deputetët e kësaj partie janë pro ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, shkruan Express.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila deri më tani kishte refuzuar t’i japë përkrahje marrëveshjes ekzistuese, duke e kundërshtuar në çdo rrethanë, tash ka ndryshuar qëndrim duke u arsyetuar se deklarata e Presidentit Thaçi dhe atij malazez Filip Vujanoviq, jep mundësi për korrigjim të lëshimeve që kanë ndodhur gjatë demarkimit të kufirit. Kështu, janë edhe 10 deputetë të kësaj partie që pritet ta votojnë Demarkacionin.
E LDK, që dikur kishte probleme për t’i mbledhur votat e deputetëve të vet pro demarkacionit është shprehur unike për ta votuar atë. Në fakt ata deri sot ishin shprehur pro marrëveshjes vetëm sipas kushtit të tyre, e që ishte moshedhja në votim e marrëveshjes eksiztuese së bashku me rapotin e Bulliqit. Kësisoj ata që i bashkohen listës për votim të Demarkacionit po i shtohen edhe 27 deputetët e saj.
Për votim të marrëveshjes janë edhe 6 deputetë të Nismës së Fatmir Limajt. Ky i fundit ishte i pari që edhe mori iniciativën që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë cështje. Pro janë edhe dy deputetë të Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli e Labinot Tahiri. Shto këtu edhe 10 deputetët e minoriteteve.
Për të kaluar një marrëveshje ndërkombëtare, duhen 2/3 e votave të deputetëve, por që Lista Serbe, me 9 deputetë të saj nuk ka dhënë ende asnjë qëndrim nëse do të jetë në gjendje t’i bashkohet grupit të atyre që janë për ta votuar këtë.
Nëse Lista Serbe vendosë të votojë pro marrëveshjes, demarkacioni me Malin e Zi kalon. Përndryshe me votat e deritanishme, koalicioni i ka vetëm 79 deputetë që besohet se do të votojnë pro.