Mësohet çfarë u bisedua mes Dardan Gashit dhe deputetit të Vetëvendosjes

Mësohet çfarë u bisedua mes Dardan Gashit dhe deputetit të Vetëvendosjes

Para se të niste seanca e Kuvendit, partitë në pushtet, përfshirë edhe ministra e zëvendëskryeministra, morën iniciativën të lobojnë për të siguruar votat që mungojnë për Marrëveshjen e Demarkacionit.

Aty u pa edhe sekseri i njohur Dardan Gashi, i cili bisedonte me deputetin e Vetëvendosjes, Salih Salihun.

Deputeti Salihu i ka thënë Gazetës Insajderi se ishte një bisedë e lirë, duke thënë se zëvendëskryeministri Gashi i kishte thënë se Demarkacioni është një proces i pakthyeshëm. Salihu ka mohuar që Gashi të ketë insistuar t’ia ndryshojë qëndrimin.

“Dardani ishte vetëm që të kalojë sa më shpejtë edhe pse pajtohej se ka gabime. Me mua nuk ka pasur bisedë të kuptimin që të më bindë. Ishte bisedë e lirë”, ka thënë deputeti Salihu për Insajderin.

Por, deputeti Salihu thotë t’ia ketë kujtuar Gashit kohën kur Ramush Haradinaj ishte në emisionin e tij (kur Gashi udhëhiqte emisionin ‘Republika’).

“Në fakt, unë e sulmova pak, sepse ia kujtova kur kryeministri ishte në emision te ai (Dardan Gashi kur e kishte një emision televiziv) edhe pati thënë se nuk ka car, sulltan e as bir Buroje që ma ndërron mendjen për kufirin me Malin e Zi, kurse sot u kthy dhe po e përshëndet marrëveshjen e birit të Burojës me Juvanoviqin (Filip Juvanoviq, president i Malit të Zi)”, ka thënë tutje deputeti Salihu për Insajderin.