Mësohet arsyeja e tërheqjes së personelit të ambasadës së Beogradit nga Maqedonia

21.08.2017 14:10
Mësohet arsyeja e tërheqjes së personelit të ambasadës së Beogradit nga Maqedonia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se është vendosur për tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë në Shkup, pasi autoritetet përkatëse kanë paraqitur dëshmi për një veprim ofensiv të inteligjencës kundër institucioneve të Serbisë.

Mëtutje, Vuçiq u tha gazetarëve në Bariq afër Beogradit, se për këtë vendim ekzistojnë disa arsye, por “organet përkatëse” e kanë përcaktuar këtë dhe i kanë paraqitur atij dhe qeverisë së Serbisë, dëshmi për veprim të tillë, raporton agjencia Beta.

“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë raporte miqësore të Beogradit me Shkupin. E jona është që njerëzit tanë të jenë të përgatitur dhe të gatshëm për mbrojtjen e miqësisë së serbëve dhe maqedonasve, por kemi edhe njohuri se si është të veprohet në një ambient të ri, i cili për ne nuk ishte i njohur deri para disa muajsh”, tha Vuçiq.

Ai nuk ka dashur të paraqes detaje të tjera, por tha se “për shtatë apo dhjetë ditë çdo gjë do të jetë si zakonisht”./REL/