Mësim online në mes të gjimnazistëve të Drenasit dhe Finlandës

21.03.2017 15:32
Mësim online në mes të gjimnazistëve të Drenasit dhe Finlandës

Nxënësit e gjimnazit “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Drenas, të martën kanë filluar një praktikë të re në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke komunikuar online me bashkëmoshataret e tyre në gjimnazin “Laukaan Lukio” të Finlandës.

Gjimnazistët e Drenasit dhe nxënës finlandezë kanë mësuar së bashku në praninë e dy mësimdhënësve, njëri i gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Mentor Sahiti dhe tjetri i gjimnazit “Laukaan Lukio”, Ilkka Linderoos, thuhet në një komunikatë për media.

Ora mësimore është realizuar në klasën digjitale, e cila gjendet në objektin e gjimnazit.

Duke pasur parasysh se Finlanda konsiderohet njëri ndër vendet me arsimin më cilësorin në botë, dhe nevoja e shkollave në Kosovë për përvetësimin e përvojave finlandeze është shumë e nevojshme, gjimnazi i Drenasit ka filluar një bashkëpunimin konkret dhe praktik me gjimnazin Laukaan Lukio në Finlandë.

Bashkëpunimi përfshinë shkëmbimin e përvojave të nxënësve dhe mësimdhënësve, konkretisht mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Vitin e kaluar 4 mësimdhënës finlandez kanë vizitur gjimnazin e Drenasit për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit, si dhe një mësimdhënës nga Drenasi kanë qenë në dy shkolla finlandeze.

Veç kësaj mësimdhënës nga Finlanda kanë mbajtur orë mësimore në gjimnazin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Edhe në maj të këtij viti, mësimdhënës nga gjimnazi Laukaan Lukio do të mbajnë mësim në gjimnazin e Drenasit.

Ndërsa sot konkretisht ka filluar implementimi i projektit online mes nxënësve finlandezë dhe gjimnazistë nga Drenasi.

Mësimdhënie online kjo shkollë finlandeze mban edhe me shkollat australiane dhe të tjera, të cilat nuk kanë mundësi që t i vizitojnë shkollat e tyre, për shkak të distances, kurse te ne në Kosovë për mungesë mjetesh materiale. /Insajderi.com