Artikull i Sponsorizuar

MESAZHI PERMBYLLËS I ABDIXHIKUT

MESAZHI PERMBYLLËS I ABDIXHIKUT

Kandidati nga radhët e LDK-së, z. Lumir Abdixhiku, në faqen e tij zyrtare në facebook ka postuar një mesazh përmbyllës.

Ja dhe postimi i tij i plotë:

Të dashur miq,

Këto dhjetë ditë fushate kanë qenë përvojë e jashtëzakonshme për mua. Kam takuar njerëz më shumë se që kisha menduar se do t’i takoja ndonjëherë. Të rinj e të reja, burra e gra, të moshuar që na pranonin e uronin për rrugëtimin e marrë. Që kërkonin shpresë. Që na ngarkonin të gjithë me barrën e trajtimit me dinjitet e respekt të vendit tonë. Dorështrëngimet e tyre jepnin ëndrrën e një Kosove që duam ta bëjmë një ditë. Kjo barrë, ky borxh, s’mund të shkelet asnjëherë.

Në këtë fushatë, kemi provuar të mbajmë drejtimin politik në vija të ideve e projekteve që po prezantojmë. Kemi provuar t’u japim qytetarëve pasqyrën e Kosovës së re.

Të një shteti që do të jetë i të gjithëve. Të një vendi me dinjitet, mirëqenie e drejtësi, pa kapës, pa hajna, pa krim.

Shpresojmë të ja kemi arritur këtë. Kjo përpjekje e jona natyrisht se i vuri në panikë kundërshtarët tanë politik. I provuan të gjitha; prej ikjes nga përballjet, tek ofendimet e shpifjet, e deri tek krijimi i lajmeve të rrejshme. Qytetarët e Kosovës natyrisht se janë më të mençur se kaq. Këtë mençuri do ta tregojnë më 11 qershor.

E tash që fushata po përmbyllet, s’kam se si të mos i falenderojë të gjithë ata që më shtynë e mbështetën në këtë rrugëtim që nga dita e parë.

Të gjithë ata që më pritën mirë e më hapën dyert e një shtëpie të madhe. Brezin e Republikës që mu bënë shokë e shoqe të rinj, brezin e pavarësisë që na shtynë në këtë drejtim; të gjitha brezat e Kosovës që ecën bashkë me ne nëpër lagje, fshatra e qytete – prej bjeshkëve të Rugovës, tek alpet shqiptare, nëpër fushat e Kosovës e deri tek malet e Karadakut.

Faleminderit edhe vullnetarëve të shumtë, djem e vajza të reja, njerëz të vullnetit të mirë që mu gjinden afër në gjithë këtë përpjekje. U kërkoj falje të gjithë qytetarëve të tjerë që s’arrita t’i takoj nëpër tubimet e tjera plot; kjo kohë ishte krejt e shkurtë.

Fitorja, ndryshimi, rikthimi i Republikës sot është afër shumë. Momente si këto na vinë rrallëherë; si të rralla ato s’duhet humbur lehtë. Republikën e drejtë ua kemi borxh gjeneratave të shkuara, njerëzve të mirë sot, e fëmijëve tanë nesër. Si borxh e barrë, kemi me la e me ja dalë. Do t’ia dalim jo vetëm për ata që na besojnë sot, por në veçanti edhe për të tjerët që dyshojnë për rrugën tonë. Republika do të jetë e të gjithëve, pavarësisht bindjeve.

Ky rrugëtim veçse ka nisur. Rruga përpara është e gjatë, por është rrugë e drejtë. Dhe e drejta na mbanë bashkë, na bën të fortë, na bën të vendosur!

Ju faleminderit.