Merr fund epoka e Che Guevarës

25.09.2016 19:27

Marrëveshja e paqes mes qeverisë dhe grupimit rebel më të vjetër në Kolumbi, FARC, i jep fund epokës së ndikimit të Che Guevarës në Amerikën Latine.

Merr fund epoka e Che Guevarës

Sipas “the Guardian”, në një kohë që kanë mbetur vetëm disa grupe të vogla të frymëzuara nga revolucioni kuban, FARC-u ul armët dhe me përfundimin e çmobilizmit, arsenali i tyre do të shkrihet për të ngritur tri monumente që do të pëkujtojnë fundin e një konflikti gjysmëshekullor dhe të dekadave të tëra të rebelimeve të armatosura në rajon.

“Kjo është marrëveshja me një nga lëvizjet më të mëdha guerrile që lindën në kontekstin e Luftës së Ftohtë”, shprehet Gonzalo Sanchez, drejtori i Qendrës së Kujtesës Historike në Bogota. “Mund të ketë ende ngjarje të tjera, por nga pikëpamja strategjike, projekti ‘utopia e armatosur’ po mbyll ciklin e saj me FARC-un”.

Njësoj si marksistët e tjerë në kontinent, FARC u frymëzua nga veprimet e Fidel Castros dhe Che Guevarës, të cilët së bashku me 80 burra zbarkuan në Kubë me një varkë peshkimi në vitin 1956, për të rrëzuar diktatorin Fulgencio Batista tri vite më vonë.

Ky nuk ishte rebelimi i parë i armatosur në Amërikën Latine, kontinenti ku që prej shekullit të XIX-të  dëshmohen fushata të përgjakshme për pavarësi nga Spanja. Por rebelët e Kubës nxitën një valë të re të frymëzuar nga politikat e Luftës së Ftohtë, grushte shteti, mbështetja amerikane për diktatorët e djathtë dhe shtypja e vrasja e aktivistëve të majtë.

Në vitet ’60-’70, në çdo vend – përveç Kosta Rikës, – nisën të shfaqeshin grupe të armatosura; Fronti Sandinist për Çlirimin Kombëtar në Nikaragua, Lëvizja Revolucionare “8 Tetori” në Brazil, Forcat e Armatosura për Çlirim Kombëtar në Venezuelë, Ushtria Popullore Rvelolucionare në Argjentinë, “Tupamaros” në Uruguaj, Lëvizja e Majtë Revolucionare në Kili. Këto grupime kryenin vrasje, rrëmbime, grabitje bankash dhe sulme kundër shënjestrave politike dhe ushtarake.

Në Amerikën Qendore ata ishin ndër faktorët që shkaktuan luftra të përgjakshme civile në El Salvador, Guatemalë dhe Nikaragua, shkruan  më tej “the Guardian” në analizën kushtuar fundit të epokës së Che Guevarës. Pas ekzekutimit të tij në Bolivi, Kuba dhe ish-Bashkimi Sovjetik frenuan entuziazmin e tyre dhe ndërprenë financimet dhe furnizimin me armë. Grupimet rebele u kufizuan në bastione malore dhe kurrë nuk arritën të merrnin pushtetin me forcë.

Me vendosjen e demokracisë në shumë vende të Amerikës Latine, mjaft eksponentë të këtyre grupimeve iu futën politikës. Dilma Roussef, ish-anëtare e një grupi markist klandestin, e arrestuar dhe e torturuar për armëmbajtje, u bë presidente e Brazilit. Jose ‘Pepe’ Mujica, president i Uruguajit, ndërsa me dhjetëra ish-guerrilas u bënë deputetë.

Grupimet mbetën aktive kryesisht në vendet me tregti të zhvilluar të lëndëve narkotike. FARC-u është grupimi i fundit më i madh, ndërsa ka ende të tillë në Amerikën Latine: Ushtria Çlirimtare Kombëtare me rreth 2.000 luftëtarë në Kolumbi; “Rruga e ndritshme” me 300 anëtarë në Peru; Ushtria popullore e Paraguajit, Ushtria Popullore Revolucionare në Meksikë, apo “Contras” në Nikaragua.