Mentor Hoxhaj prezantohet si “shef” i një agjencie shtetërore në të cilën nuk punon

Njëri prej ish-anëtarëve të Shërbimit Informativ të Kosovës, është duke u prezantuar në publik si mbikëqyrës i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ndonëse mandati i ka skaduar pesë muaj më parë. Mentor Hoxhaj, ka folur në televizione duke u prezantuar me këtë pozitë. Agjencia ndërkaq i ka dhënë vërejtje për shkak të keqpërdorimit të emrit të institucionit. Por, Hoxhaj thotë se po prezantohet si ekspert.

Mentor Hoxhaj prezantohet si “shef” i një agjencie shtetërore në të cilën nuk punon

Mentor Hoxhaj është duke u prezantuar në publik si mbikëqyrës i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AShMDhP), ani se qysh nga qershori i këtij viti nuk punon më në këtë institucion.

Hoxhaj, tashmë ish-mbikëqyrës shtetëror i kësaj Agjencie, ishte paraqitur në mediet vendore në emër të AShMDhP-së edhe pse i kishte skaduar mandati.

Për këto paraqitje kishte marrë vërejtje nga drejtori i përgjithshëm i AShMDhP-së, Bujar Sadiku, më 19 korrik 2016.

“… më datën 17 korrik 2016, në Lajmet e Mbrëmjes të Mediumit ‘Koha Vision’, lidhur me temën rreth ndryshimeve të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike është prononcuar, pa të drejtë, ish mbikëqyrësi shtetëror z. Mentor Hoxhaj, në emër të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në njoftimin publik që e kishte bërë Sadiku.

Sipas Sadikut, pesë anëtarët e Këshillit të Agjencisë, të cilët, njëkohësisht kanë qenë edhe mbikëqyrës shtetërorë, që nga data 23 qershor 2016 më nuk janë pjesë e kësaj Agjencie.

vendimiiiii

Për këtë njoftim me vërejtje, Mentor Hoxhaj thotë se as që kishte dëgjuar ndonjëherë.

“Nuk jam i njoftuar për këtë rast. Nga ju po dëgjoj”, ka thënë Hoxhaj për Gazetën Insajderi.

“Nuk paraqitem në kapacitetet të cilat nuk i kam”, ka shtuar ai, duke iu referuar rastit për të cilin i është dhënë vërejtja.

Ish- anëtari i Shërbimit Informativ të Kosovës që ka vepruar në mënyrë të paligjshme në Kosovë për disa vjet, e ka quajtur Sadikun si ushtrues detyre të postit të drejtorit të AShMDhP-së, dhe për më tepër, ka thënë se vendimi i nxjerrë nga ai, nuk është legjitim, madje e ka cilësuar edhe si antiligjor.

Sipas tij, agjencia nuk ka këshill dhe mbikëqyrës.

“Asnjë aktivitet dhe asnjë vendim sa i përket Agjencisë dhe zbatimit të ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk mund të merret në mungesë të Këshillit dhe të Mbikëqyrësve Shtetërorë”, ka thënë Hoxhaj për Insajderin.

Por, së fundmi Mentor Hoxhaj – ish-mbikëqyrësi i Agjencisë, është paraqitur në emisionin e mëngjesit në RTK, ku e titullojnë si përfaqësues i AShMDhP-së. Por prezantuesi në fillim të emisionin e prezanton si njohës i fushës.

Vetë Hoxhaj thotë se në atë emision nuk e ka përfaqësuar AShMDhP-në, por ishte në cilësinë e ekspertit.

mentori-rtk

Pasi Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarim nga AShMDhP-ja rreth prezantimit të tillë në RTK të Mentor Hoxhajt, zyrtar të kësaj agjencie kanë thënë se do të kërkojnë demantim nga RTK-ja për prezantimin e mysafirit në studio.

“Pasi që e shikuam emisionin e mëngjesit, kam tentuar të bisedoj me RTK lidhur me organizimin e emisionit dhe emërtimin e Agjencisë tek pamja në ekran. Ne sot do të kërkojmë demantin nga RTK lidhur me emërtimin e Agjencisë tek i ftuari”, thuhet në përgjigjen e AShMDhP-së dhënë për Insajderin.

Për më tepër, AShMDhP konsideron se RTK-ja ka bërë shkelje në këtë rast.

“Vlerësojmë se paraqitja e RTK-së me emërtim për personin i cili nuk punon në Agjenci, përbën shkelje dhe krijon pasqyrë të gabuar tek qytetarët”, thuhet më tej në përgjigje.

Zyrtarë të AShMDhP-së thonë se pas paraqitjes së shqetësimit nga Insajderi, ata e kanë kontaktuar menjëherë vetë ish-mbikëqyrësin Mentor Hoxhaj për të kërkuar sqarim.

Hoxhaj u ka thënë zyrtarëve të AShMDhP-së se “në emision me kanë prezantuar si njohës dhe unë kam folur për raportin gjashtëmujor derisa kam qenë në Agjenci dhe pjesën tjetër të aktiviteteve të cilat po i udhëheqë me një OJQ”.

Marrë parasysh këtë rast, zyrtarë të AShMDhP-së thonë se “do të kërkojmë nga menaxhmenti i RTK-së që të verifikojë figurat publike para organizimit të emisioneve se a kanë mandat për t’u paraqitur para televizionit”./Insajderi.com