Mejtepet turke vijnë në Kosovë – si iu nënshtrua Thaçi Erdoganit në luftën kundër Gylenit

14.08.2017 17:43
Mejtepet turke vijnë në Kosovë – si iu nënshtrua Thaçi Erdoganit në luftën kundër Gylenit

Recep Tayyip Erdogan është treguar mjaft efektiv me homologun e tij nga Kosova. Nga pritja që i kishte rezervuar në fund të vitit të kaluar Thaçit, Presidenti turk ka nxjerrë rezultate konkrete: shteti turk do të hapë shkolla në përpjekje për t’i zëvendësuar ato me shkollat e Fetullah Gylenit, klerikut që Turqia e ka shpallur terrorist. Fondacioni “Maarif”, nën të cilën do të operojnë këto mejtepe, përveç Kosovës ka shtrirë tentakulat e tij edhe në pjesë tjera të Ballkanit.

Lexo në Express se ku është Kosova në këtë plan të ekspansionit të ri turk. Dhe, a po ia përmbush Thaçi si-vëllait të tij Erdogan dëshirën për ta zhdukur lëvizjen e Gylen nga Kosova, në shkollat e të cilit u arsmiua edhe i biri i tij.

Në dhjetorin e viti 2016 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u prit ngrohtë nga si-vëllai i tij, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Shefi i shtetit turk e Thaçi folën për shumë tema, por më së shumti për organizatën e imamit që jeton në Amerikë, Fetollah Gylen, organizatën e të cilit Turqia tashmë e konsideron “organizata terroriste FETO”, e që bëhet fjalë për lëvizjen “Hizmet”, raporton Express.

Erdogani, më qartë se kurrë i kërkoi Thaçit që të mbyllë shkollat e Gylenit në Kosovë, ku, për ironi në njërën nga to, ishte edukuar edhe i biri i vetëm i Presidentit, Endrit Thaçi.

Thaçi nuk kishte bërë ndonjë premtim të drejtpërëdrejtë për shkollat, por nëse iu besohet shënimeve në faqet zyrtare të institucioneve turke, ai ka qenë i qartë rreth klerikut Gylen. Thaçi citohet t’i ketë thënë kryeministrit turk, Binali Yildirim, se “çdokush që është terrorist në Turqi, është terrorist edhe në Kosovë”.

Gjatë vizitës së Thaçit në Ankara, Erdogani nuk po kërkonte që të mbylleshin bizneset e Gylenit, por po i bënte edhe një ofertë kolegut nga Kosova.

Si alternativë ndaj mbylljes së shkollave të Gulen, Erdogan po shpaloste planin e shtetit turk për hapje të shkollave gjithandej globit, si alternativë ndaj shkollave të “terroristit” Gylen.

Këtu Erdogan edhe po e luste Thaçin që të mos e lëshojë rastin, duke thënë se në të ardhmen Kosova mund t’ua shohë sherrin shkollave të Gylenit.

Disa muaj më vonë, krejt në heshtje, ky fondacion i propozuar nga Erdogani te Thaçi tashmë i ka shtrirë tentakulat e aktivitetit në Kosovë. Ai ka blerë një shkollë që nisi si shkollë islamike, raporton Express.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç në qershorin e këtij viti edhe zyrtarisht ka bekuar me një vizitë shkollën private “International Maarif School of Kosova”, që në fakt është kolegji International American Academy of Kosovo (IAAK). Në versionin anglisht të kësaj faqe, tek pjesa “për ne” shkolla citohet si “Miraj Islamic School”.

Madje Erdogan para Thaçit kishte shpalosur se si do të funksiononte Maarif në Kosovë.

“Tash ne jemi duke e luftuar këtë (Gylenin), dhe duke e bërë këtë jemi djegur. Nuk duam që edhe Kosova të digjet. Prandaj fondacioni Maarif, të cilin e kemi themeluar le të bashkëpunojë me arsimin kombëtar të Kosovës dhe të shkollojmë të rinjtë idealist të Kosovës. Ti shkollojmë si atdhedashës”, i pati prezantuar Erdogani Presidentit Thaçi fondacionin “Maarif”.

Fondacioni në fjalë tash është i regjistruar si “International Maarif School of Kosova” në pronësi të Zurkani Vardar dhe Ferid Bedrollit, me drejtor Irfan Bedroll dhe agjent të regjistruar ka Bedri Bedrollin. Megjithatë, në publik Mesut Özbaysar është ai që prezantohet si drejtor i këtij fondacioni, kurse drejtoreshë e shkollës në fjalë, Azemine Kukaj, raporton Express.

Autoritetet kosovare deri tash nuk kanë lajmëruar se kanë marrë ndonjë masë kundër shkollave të Fetollah Gylenit në Kosovë, ani pse Erdogani i kishte folur me tone të vështira Thaçit në vizitën e tij në Turqi, duke i thënë për organizatën e shkollat e Gylen se “tradhtarë janë këta dhe ne paguam për këtë. Po e përsëris, nuk duam që edhe Kosova ta paguajë. Sepse Kosova nuk mundet ta përballojë këtë. Turqia kishte një fuqi për ta përballuar, por Kosova nuk mundet ta përballojë”.

Por, derisa shkollat e Gylen ende funksionojnë zyrtarisht, fondacioni “Maarif” i regjimit të Erdoganit po merr hov po ashtu në Kosovë, dhe për ta luftuar konkurrencën në këtë biznes privat me shkollat në vend është angazhuar përfaqësuesja më e lartë e Erdoganit, ambasadorja Kıvılcım Kılıç e cila duke vizituar shkollat e “Maarif” sulmoi ato të “Gylen’it” duke thënë se prindërit duhet të mendojnë mirë se ku do ti regjistrojnë fëmijët e tyre sepse “diplomat e shkollave të organizatës terroriste FETO nuk njihen në shtetin e Turqisë”.

Por, një raport i “Anadolu Agency” tregon se plani i Erdogan’it që ta heq nga tregu i të bërit biznes me shkolla ish-partnerin e tij në politikë, Fetolah Gylenin po shkon sipas planifikimeve. Ndoshta edhe më shpejt.

Fondacioni “Maarif”, si kundërpërgjigje ndaj shkollave të fondacionit “Hizmet”, sipas këtij raporti, tashmë kas shtrirje në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, e Bullgari, raporton Express.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ku “Hizmet” ka 15 shkolla kanë filluar iniciativat në nivel kryeministrash të kantoneve dhe ministrash të arsimit për hapjen e shkollave në kryeqytet, pra në Sarajevë, si dhe në qytetet Tuzlla dhe Bihaç, derisa në Shqipëri ‘Maarif” i Erdoganit tashmë ka një marrëveshje për ta marrë nën kontroll një shkollë private me emrin Instituti Kanadez i Teknologjisë, i themeluar në Tiranë në vitin 2011 nga një investitor nga Katari.

Në kuadër të këtij ekspansioni të “Maarif” të regjimit të Erdoganit në Mal të Zi në takime të zhvilluara me kreun e Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat Fejziç, është arritur pajtim për përfundimin e punimeve ndërtimore dhe për funksionimin e medresesë së vajzave në Ulqin, kurse në Maqedoni janë zhvilluar takime me Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik dhe është arritur marrëveshje verbale për transferimin e licencave në nivel fillor dhe të mesëm, kërkesë kjo e parashtruar nga fondacioni i universitetit.

Ndërsa në Rumani ku “Hizmet” i Gylenit ka 10 shkolla, “Maarif” kishte blerë një objekt shkollor, i cili për shkaqe financiare, “Anadolu Agency”  raporton se nuk ka mundur të funksionojë.

Në Kosovë deri tash dihet që “Maarif” ka nënshkruar një protokoll, nëpërmjet të cilit kolegji International American Academy of Kosovo (IAAK) i transferohet fondacionit në fjalë, dhe bëhet me dije se shkolla ka 70 nxënës dhe licencë në nivelet parashkollor, kopsht për fëmijë, atë fillor dhe të mesëm, raporton Express.

Në faqen e kësaj shkolle, në versionin anglisht thuhet se shkolla, IAAK që në fakt i referohen si “Miraj Islamic School”, drejtohet nga dy imamë, imami DhulKarnejn Vardar si drejtor i “Albanian Islamic Cultural Center” dhe imami Ferid Bedrolli, si Sekretar i saj. Po ashtu “Miraj Islamic School” te faqja e IAAK e ka të publikuar bordin e shkollës, që përbëhet nga Omer Musa, Tahir Kukiqi, Ramiz Duka, Ismet Capric, Hajrudin Muja, Hasan Yasar dhe Bashkim Pelinkovic.

Shkolla që tashmë është marrë nën kontroll nga “Maarif” i regjimit të Erdoganit e mbyll përshkrimin e vetvetes në faqen e saj me një versët nga libri i shenjtë i myslimanëve, Kur’ani e që thotë “o njerëz, ju kemi bërë juve nga një mashkull dhe femër e vetme dhe ju ndamë ju në popuj e fise, në mënyrë që ta njihni njëri-tjetrin”./GazetaExpress/