Mehmeti: Ne e çmojmë heroin e rrahur apo të vdekur, por jo edhe trimin e mbetur gjallë

Mehmeti: Ne e çmojmë heroin e rrahur apo të vdekur, por jo edhe trimin e mbetur gjallë

Lidhur me ngjarjet e djeshme në Parlamentin e Maqedonisë, ka reaguar edhes shkrimtari, Kim Mehmeti. Ai ka thënë se e gjithë kjo erdhi pasi qeverisja e mëparshme VMRO-BDI ndërtoi shtet për kriminelët.

“Më në fund u ktheva në Shkupin tim! Dhe nuk mund të mos ndjehesh i mposhtur kur i sheh ato fytyra të përgjakura të deputetëve republikanë si dhe, kur duhet ta pranosh se ne që jetojmë në Maqedoni, jemi viktimë e regjimit të deridjeshëm VMRO-BDI, regjim që ndërtoi shtet për kriminelët dhe huliganët e tyre partiak, e të cilët tani nuk duan ta japin ‘pronën’ e tyre?!”, ka shkruar Mehmeti në llogarinë e tij në Facebook.

“Ndjenja e mposhtjes rritet kur vëren si shumë shqiptarë – madje edhe nga ata që pretendojnë se patriotizmi e mençuria u derdhen edhe nga veshët – në vend që të shtrojnë pyetjen logjike se ku ishte policia që t’i mbronte deputetët, e shfrytëzojnë rastin për protagonizëm, apo për t’i njollosur kundërshtarët politikë, si për shembull, deputetët e Lëvizjes BESA, duke i akuzuar ata pse kanë ‘ikur’ të parrahur pas këndimit të himnit, e me çka e shpalosin mendësinë dështuese politike se ne e çmojmë heroin e rrahur apo të vdekur, por jo edhe trimin e vlefshëm që ka mbetur gjallë! Dhe ja, jemi aty ku ishim edhe deri dje: heroizmin dhe të ardhmen tonë politike, nuk e përcakton vetëm ajo që jemi e që kemi, por edhe ofendimet dhe dajakun që na e japin antishqiptarët!”, përfundon postimi i tij./Insajderi.com