Medina merr medaljen e Argjend në Francë në Kampionatin Evropian për persona me sindromën Down

Medina merr medaljen e Argjend në Francë në Kampionatin Evropian për persona me sindromën Down

Flamuri i Kosovës është ngritur lartë në Francë në Kampionatin Evropian të Notit për Persona me sindromën Down që u mbajt në Francë, pas triumfit të Medina Surdulli.

Notuesja kosovare, Medina Surdulli, ka bërë krenarë të gjithë duke ngritur lartë flamurin e Kosovës  në Kampionatin Evropian të Notit për Persona me Sindromën Down asi ajo u stolis me medaljen e Argjendtë.

Medina mori medaljen e Argjendtë në disiplinën 1500m Krol.

Ky është një sukses shumë i madh i notueses tonë e cila në këtë garë shumë të rëndësishme arriti që të renditet si e dyta në Evropë, duke bërë edhe ëndrrën realitet.

Menaxherja e Medinës, Arejta Gashi, është krenare me arritjen e 22 vjeçares.

“E falënderojmë Medinën për emocionet e jashtëzakonshme që na dha neve dhe gjithë vendit tonë”, tha ajo fillimisht për Gazetën Express.

“Krenar me suksesin e Medinës. Flamurin e Kosovës, para mijëra shikuesve Evropian në Paris e ngriti duke marr medalje të Argjendtë.  E gjithë puna e saj dhe e trajnerit u shpërblye ashtu siç është më së miri. Si të ndjehemi ndryshe përveç si fitues e krenar me Medinën tonë”, shtoi Gashi.

Ndërsa trajneri, Enver Hajredini, që i qëndroj pranë Medinës për shumë vite duke e sjell atë këtu ku është sot, premton edhe suksese tjera në të ardhmen.

“Është një arritje e madhe”, u përgjigj fillimisht trajneri i Medinës.

“Vendet tjera i kushtojnë rëndësi më të madhe kësaj kategorie sepse cilido shtet ka numër më të madh të garuesve që marrin pjesë në këto kampionate e sporte. Por shteti jonë dihet, ne e kemi Medinën që kanë dhënë shumë familja dhe shumë të tjerë për ta zhvilluar ajo këtë sport. Rezultati tashmë po shihet pas triumfit në Kampionatin Evropian dhe kjo natyrisht se më gëzon shumë”, shtoi ai.

Hajredini ka një lutje, që shteti të merret më shumë me personat me Sindromin Down që një ditë të ketë më shumë fëmijë që mund t’i realizojnë ëndrrat në gara të ndryshme Evropiane dhe të ecin përpara.

“Presim që në të ardhmen, brenda dy viteve të arrijmë rezultate edhe më të mira dhe shpresojmë që në të ardhmen edhe shteti do të punojë me shumë me këto kategori që kanë filluar të integrohen në shoqëri madje duke shkuar edhe në shkolla. Gjithçka do të ishte më pozitive”, theksoi mes tjerash Hajredini. /Gazeta Express/