Mediat ndërkombëtare e pasqyrojnë kështu suksesin e Majlindës

Mediat ndërkombëtare e pasqyrojnë kështu suksesin e Majlindës

“Majlinda Kelmendi ka bërë historinë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” të dielën, pasi fitoi medaljen e parë të artë në xhudo duke u bërë sportistja e parë e Kosovës që fiton medalje olimpike.” Kështu nis raportimin agjencia prestigjioze e lajmeve, Reuters.

Reuters ka treguar rrugën e Kelmendit drejt suksesit historik dhe ka kujtuar se si Kosova kishte probleme politike që i pamundësuan zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare sportive.

Për suksesin e Kelmendit ka shkruar edhe BBC, që ka postuar një fotografi të Majlindës duke shkruar “Ai momenti kur fiton medaljen e parë të shtetit”.

Suksesi historik për Kosovën ka shkuar edhe në Azi, atje ku e përditshmja indiane “Indian Express” shkruan: “Majlinda Kelmendi bëhet medalistja e parë kosovare”.

Ndërkohë nga Amerika Latine, portali meksikan “Mediotiempo” thotë se ky “është një sukses historik për Kosovën”.

“Majlinda Kelmendi, historia e një medalje të madhe për Kosovën”, shkruan Mediotiempo nga Meksika. /Insajderi.com